Pas marokienëve, shqiptarët ishin të dytët për marrje të nënshtetësisë në një nga vendet e Bashkimit Evropian gjatë vitit 2019 me gati 42 mijë të tilla, pjesa më e madhe në Itali.
Në raport me popullsinë, Shqipëria rezulton e para për numrin e lartë të banorëve të saj që marrin një shtetësi në një nga vendet e BE-së.
Sipas Eurostat, në vitin 2019, marokenët ishin grupi më i madh në mesin e shtetasve të rinj të BE-së apo 66,800 persona nga të cilët 84 për qind fituan shtetësinë e Spanjës, Italisë ose Francës, përpara shqiptarëve prej 41,700 persona apo 62 për qind shtetësinë së fituar ishte në Itali, britanikëve me 29,800 persona apo 75 për qind e shtetësinë së fituar i përkiste Gjermanisë, Suedisë ose Francës, sirianët prej 29,100 persona apo 69 për qind e shtetësisë së fituar ishte në Suedi, turqit prej 28,600 persona apo 57 për qind me shtetësinë gjermane, rumunët me 26,600 persona apo 60 për qind në Itali ose Gjermani, brazilianë me 23,500 persona apo 73 për qind në Itali ose Portugali, ukrainas me 18,100 persona apo 59 për qind në Gjermani, Poloni ose Itali, algjerianë me 18 mijë persona apo 82 për qind kanë fituar shtetësinë franceze dhe rusët me 16,400 persona nga të cilët 31 për qind kanë fituar shtetësinë gjermane.
Krahasuar me vitin 2018, marokenët dhe shqiptarët mbetën përfituesit kryesorë, ndërsa britanikët u zhvendosën nga vendi i shtatë në vendin e tretë.
Që nga viti 2002, kur Eurostat raporton të dhënat, shtetasit shqiptarë kanë marrë gjithsej 473 mijë pasaporta në një nga vendet e Bashkimit Evropian, pjesa më e madhe e tyre në Itali dhe Greqi, ku jetojnë dhe shumica e emigrantëve shqiptarë, të cilët në vite po bëhen shtetas me të drejta të plota në vendet ku jetojnë. Numri më i lartë i tyre është dhënë në vitin 2016, me rreth 67.5 mijë, duke u ulur gradualisht vitet e mëpasshme.
Shumica e shtetësive të reja u dhanë nga Gjermania me 132 mijë ose 19 për qind e totalit të BE-së, Italia me 127 mijë ose 18 për qind, Franca me 109,800 ose 16 për qind, Spanja me 99 mijë ose 14 për qind dhe Suedia me 64,200 ose 9 për qind që përbën 75 për qind të shtetësive të reja të dhëna në BE në vitin 2019 për të gjithë shtetasit e tjerë.
Shkalla e natyralizimit është raporti i numrit të personave që fituan shtetësinë e një vendi gjatë një viti mbi stokun e rezidentëve të huaj në të njëjtin vend në fillim të vitit. Në vitin 2019, normat më të larta të natyralizimit u regjistruan në Suedi prej 7 shtetësi të dhëna për 100 banorë të huaj, Rumani prej 4.7 shtetësi dhe Portugali prej 4.4 shtetësi, ndjekur nga Finlanda prej 3.8 shtetësi, Holanda prej 3.2 shtetësi dhe Belgjika prej 2.9 shtetësi.
Në skajin e kundërt të shkallës, normat e natyralizimit për 100 të huaj rezidentë u regjistruan në Lituani prej 0.2 shtetësi, Danimarkë prej 0.3 shtetësi, Estoni prej 0.4 shtetësi, Çeki prej 0.5 shtetësi, Letoni prej 0.6 shtetësi, Austri prej 0.7 shtetësi, Bullgari dhe Sllovaki prej 0.8 shtetësi secila si dhe Malta dhe Irlanda prej 0.9 shtetësi secila.