Zyra Kombëtare e Auditimit ka bërë të ditur se ka kryer auditimin e menaxhimit të Listës Esenciale të Barnave dhe ka nxjerr disa rezultate për menaxhimin më efikas të saj.
Zyra e auditimit njofton se lista nuk është azhurnuar që nga viti 2013 dhe ekziston rreziku që barna të rëndësishme dhe me kosto mos të jenë në këtë listë.
“Rreth 30% e barnave nuk porositen asnjëherë, ndërsa ka barna të rëndësishme të cilat janë kërkuar në vazhdimësi mirëpo nuk janë përfshirë në listën esenciale. Ky auditim ka konkluduar mangësi në të gjithë procesin e menaxhimit të listës esenciale të barnave, duke filluar nga planifikimi, shpërndarja dhe monitorimi i këtij procesi nga institucionet shëndetësore. Planifikimet fillestare janë ndryshuar pa analiza përkatëse dhe si pasojë një bar vital është reduktuar deri në 74% nga plani fillestar”, thuhet në raport.
Gjendje jo më e mirë është edhe tek shpërndarja e barnave, ku për shkak të mos përcjelljes së afatit të përcaktuar në kontratat e furnizimit me barna ka ndodhur që të ketë vonesa në dorëzim deri në 240 ditë pas afatit të paraparë.
Si pasojë e mungesës së monitorimit të duhur të procesit të planifikimit dhe shpërndarjes së barnave nga institucionet përgjegjëse, dobësitë e njëjta janë përsëritur çdo vit.
“Përkundër një buxheti mesatar vjetor për Listën e Barnave për vitet 2015-2017 që ka qenë rreth 15 milionë euro, jashtë kësaj liste vetëm Qendra Klinike Universitare kishte shpenzuar mesatarisht 1.2 milion euro në vit për produkte farmaceutike. Ndërsa, se sa shpenzojnë pacientët nga buxheti i tyre për barna që nuk ofrohen nga institucionet shëndetësore nuk ka asnjë të dhënë në institucionet kosovare”, thuhet në raport.
Besnik Osmani, Auditori i Përgjithshëm, me rastin e publikimit të këtij raporti ka thënë se “për të siguruar një furnizim më të mirë, Ministria e Shëndetësisë së bashku me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore dhe Shërbimin Spitalor Klinik Universitar duhet të sigurojnë që Lista Esenciale e Barnave të azhurnohet sa më shpejtë në mënyrë që të përfshijë nevojat e pacienteve. Përveç kësaj këto institucione duhet të sigurojnë një menaxhim më të mirë të planifikimit dhe shpërndarjes së barnave si dhe monitorimit të procesit për të siguruar se barnat janë në dispozicion të pacientëve kur u nevojiten”.
Zyra Kombëtare e Auditimit ka vlerësuar se Ministria e Shëndetësisë, Fondi i Sigurimeve Shëndetësore dhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës duhet të ndërmarrin hapa konkret për të siguruar menaxhim të duhur të Listës Esenciale të Barnave.