Kosova të dielën për herë të parë ka mbajtur zgjedhjet lokale nën masat anti-Covid, raporton Ekonomia Online.
Edhe pse u zhvilluan në kushtet jo të zakonshme këto zgjedhje sollën rezultate befasuese në shumë komuna.
Por qytetarët e kryeqytetit shprehen optimistë për punë katër vjeçare të kryetarit të ri, madje ata shprehen të kënaqur me mbarëvajtjen e tyre.
Bislim Ademi, thotë se ka dalë me votuar për ndryshime, duke shtuar se është premtuar shumë nga kandidatët, por që mbetet të shihen se a do t’i mbajnë premtimet.
“Kam dalë me votuar e ka shkuar mirë në rregull, na kanë premtuar shumë se di sa do t’i realizojnë. Presim ndryshime shumë”, tha ai.
Përderisa Ymnije Gashi, është e zhgënjyer me rezultatet që në këto zgjedhje pati Vetëvendosje, e sidomos në Prishtinë.
Përderisa ka të atillë që nuk kanë dal të votojnë fare. Hizet Zhuja thotë se procesi i këtyre zgjedhjeve ka shkuar shumë mirë, edhe pse vet nuk ka votuar, raporton EO.
“Po jemi të kënaqur nga këto zgjedhje, vet nuk kam dal me votuar por te shohim se sa do realizohen. Pres ndryshime sepse tashmë qytetarët kanë zgjedhur kryetarë të përgatitur e ma të shkolluar”.
Sipas rezultateve preliminare të shpallura nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në 17 komuna janë shënuar fitore të partive dhe 21 komuna do të shkojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë.
Bazuar në rezultatet preliminare të KQZ-së, Lista Serbe ka fituar nëntë komuna, Partia Demokratike e Kosovës ka fituar pesë komuna, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nga dy komuna, kurse Lëvizja Vetëvendosje nuk ka arritur fitore të qartë në asnjë komunë në raund të parë.
Partia Demokratike e Kosovës ka fituar në Mitrovicë të Jugut, Ferizaj, Hani i Elezit dhe Skenderaj.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar në Lipjan dhe Pejë.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar në Deçan dhe Suharekë.
Ndërkaq, Lista Serbe ka fituar në Leposaviq, Mitrovicë të Veriut, Novobërdë, Shtërpcë, Zubin Potok, Zveçan, Graçanicë, Ranillug dhe Partesh.
Në balotazh do të shkojnë këto komuna: Gjakova (AAK-LVV), Gjilani (LVV-LDK), Dragashi (PDK-LDK), Klina (AAK-PDK), Kamenica (Partia Socialdemorate -LVV), Podujeva (LVV-LDK), Prishtina (LVV-LDK), Prizreni (LVV-PDK), Vitia (LDK-LVV), Vushtrria (PDK-LDK), Malisheva (Nisma-PDK), Juniku (AAK-LDK) dhe Mamusha (Partia Demokratike Turqve të Kosovës –KDTP dhe partia e Drejtësisë e Turqve të Kosovës – KATP), Gllogoci (PDK dhe Demokratët për Drenasin – DD), Kllokoti (Lista Serbe- Iniciativa qytetare Harmonia Popullore Serbe – GI SNS), Istog (LDK-AAK), Shtimja (PDK-LVV) dhe Rahoveci (AAK-LVV), Obiliqi (Iniciativa Qytetare për Obiliqin – IQO dhe LVV, Fushë Kosova (LDK-LVV), si dhe Kaçaniku (PDK-LVV).