Qytetarët serbë protestojnë në Graçanicë, pas arrestimit të dyshuarit për krime lufte

Prishtinë | 22 Qer 2023 | 12:19 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Një grup qytetarësh serbë kanë protestuar në Graçanicë, në shenjë proteste ndaj arrestimit të një pjesëtari të komunitetit serb, nën dyshimet për krime lufte.

“Lironi njerëzit tanë të pafajshëm”, “Ndaloni kriminalizimin e serbëve”, “Të gjithë ne jemi Dragisha Milenkoviq” e “Drejtësi popullit serb”, ishin disa nga pankartat që ata mbanin në duar.

Protestues nga radhët e komunitetit serb në Graçanicë kishin paralajmëruar protesta të reja për të enjten duke mohuar dyshimet mbi të arrestuarin. Ata janë mbledhur ara stacionit të policisë në Graçanicë.

Policia ka njoftuar se ka zhvilluar hetime lidhur me krimet e kryera gjatë periudhës së luftës në Kosovë (1998- 1999), ku përmes rrugëve hetimore-operative ka pranuar informacion për të dyshuarin mashkull kosovar serb me iniciale (D. M.) si pjesëmarrës në këto krime.

“Ndaj të njëjtit janë siguruar prova për ekzistimin e dyshimit të arsyeshëm se në bashkëkryerje edhe me pjesëtarë të tjerë, gjatë periudhës së luftës në Kosovë në cilësi të personave zyrtar (gardian të burgut) në Prishtinë dhe në paralelen e ndarë nga Prishtina konkretisht në burgun e Lipjanit, në mënyrë sistematike, dyshohet se kanë ushtruar torturë, dhunë fizike, psikike, keqtrajtime dhe maltretime çnjerëzore dhe të skajshme për jetën ndaj të burgosurve shqiptarë”, thuhej në komunikatën e e Policisë.

Arrestimi ngjalli reagime të partive politike serbe në Kosovë dhe zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, që bënë thirrje për reagim të komunitetit ndërkombëtar.

Lista Serbe tha në një reagim se “Dragisha Milenkoviç është arrestuar në Graçanicë pa asnjë provë”, dhe se “regjimi i (kryeministrit Albin) Kurtit vazhdon gjuetinë mbi serbët para syve të komunitetit ndërkombëtar, i cili hesht dhe i jep hapësirë Kurtit për të përndjekur serbët, ndërsa EULEX-i pretendon të jetë një institut statistikor”.

Të ngjashme