Një grup i organizuar qytetarësh, i udhëhequr nga ish-asamblisti i Komunës së Drenasit, Xhavit Drenori, kanë vendosur një mesazh për komisionarin e BE-së, Johannes Hahn, në dyert e ndërtesës së BE-së në Prishtinë.
“Mirë se erdhe në Kosovë, Hahn! Ne jemi për reciprocitet, kështu që juve ju duhet viza që të hyni në Kosovë. Për një vizë, ju duhen 45 dokumente të ndryshme dhe 35 euro – tarifa e vizës”, ishte porosia që iu la komisionarit evropian, raporton KTV.
Aktivisti nga Drenasi, Xhavit Drenori, ka thënë se qytetarët e Kosovës janë lodhur nga izolimi në mungesë të lirisë së lëvizjes.
Sipas tij, për gjendjen në Kosovë, fajtore nuk është vetëm politika vendore, por edhe vetë BE-ja, e cila e ka ndihmuar formimin e shtetit të Kosovës.
Ndërkohë, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, nëpërmjet një komunikate, ka përdorur gjuhë të ashpër nga komisionarit evropian, duke e quajtur ‘mashtrues dhe premtues ordiner’, që tani po brengoset për taksën 100% për mallrat nga Serbia dhe Bosnja.
Sipas këtij këshilli, vendimi për të mos e futur në rend dite liberalizimin e vizave për dhjetor të vitit 2018, ngrit tensionet në Kosovë dhe asnjë klasë politike nuk do të jetë në gjendje të qeverisë si duhet pas këtij mashtrimi të paskrupullt dhe flagrant.