Qytetarët të ndarë rreth Planit Franko-Gjerman: “Kurti ka derdhë gjak kundër Zajednicës, sot po don me implementu”, “E kanë ba të përparshmit, tash Kurti s’ka çare pa e formu”

Prishtinë | 07 Shk 2023 | 13:41 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Qytetarët kanë mendime të ndryshme për Planin e Bashkimit Evropian për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, të cilin kryeministri Kurti tashmë e ka pranuar. Pika më “e rrezikshme” në këtë plan është ajo nr. 9, e cila kërkon që palët të zbatojnë të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare, dhe ku nënkuptohet dhe themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Bislim Gashi, të cilin Ekonomia Online e intervistoi në sheshin e Prishtinës, u shpreh se kryeministri Albin Kurti nuk po e mban asnjë premtim të tij. Ai rikujtoi se në të kaluarën Kurti ka shkaktuar edhe gjakderdhje përmes protestave në kundërshtim të “Zajednicës”, sikur e quante atëherë Vetëvendosje.

“Kryeministri ka shkaktuar gjakderdhje duke e kundërshtuar planin e Zajednicës edhe sot po don me e implementu”.

“Kryeministri asnjë premtim të tij s’po e mban, gjithçka që ka thanë është kah e rrënon me fjalët e veta”, tha ky qytetar.

Ndërsa, Vesel Veseli mendon se politika e kërkon shpeshherë ndryshimin e opinioneve dhe vendimeve.

“Po politika nuk ecë gjithmonë në një vijë të drejtë. Lypset me i respektu shenjat e komunikacionit të ashtuquajtur politikë. Edhe Kurti sigurisht ka vërejtur se nuk bën ndryshe e nuk domethënë me ndenjtë i çeliktë vetëm më një mendim, por duhet me pa se si e kërkon momenti, kushtet edhe me vepru”.

Sabit Bllaca, një tjetër qytetar, u shpreh se Kurti nuk ka pasur rrugë tjetër përveç se ta pranojë këtë propozim.

“Ky është ka mbahet shumë mirë, ka qëndrim fort të mirë për Kosovë. Kurti është i pazëvendësueshëm, shumë i mirë. Pa e pranuar planin nuk ka çare se ata e kanë ba të qartë, ata të përparshmit, tash i ka mbetë këtij. Ata është mirë me i marrë në pyetje se kjo është një tradhti ndaj vendit”.

Ndërsa, Shaban Baksi tha se Kosova nuk duhet ta kundërshtojë Amerikën dhe Evropën, porse Asociacioni mund ta bëjë situatën në vend edhe më të keqe.

“Është një temë shumë e rëndë. Në përgjithësi ne kemi përkrahur gjithnjë Amerikën duke e falënderuar për përkrahjen e tyre për ne, të gjithë shqiptarëve edhe të gjithë popullit të Kosovës. Ne duhet të jemi aty me Amerikën gjithnjë, për shkak se është çështja që asociacionet nuk janë krejt të mira. Nuk e kemi kundërshtuar kurrë një herë Evropën dhe Amerikën edhe tash e tutje nuk duhet ta kundërshtojmë sepse jemi me ta dhe duhet të jemi. Të kemi kujdes edhe për asociacionet sepse mund të bëhet edhe më mirë, por mund të bëhet edhe më keq”.

Kryeministri Albin Kurti tha të hënën se Kosova e pranon propozimin evropian, të njohur si planin franko-gjerman. Pas takimit me përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, Kurti e ka konfirmuar se e ka pranuar propozimin e evropianëve për normalizim të raporteve me Serbinë. Ai përsëriti se e sheh propozimin si “një bazë të mirë” për të ecur para me diskutime.

Edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha sot se plani franko-gjerman është i pranueshëm për Kosovën, pasi nuk ka Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe në të. Por, ai e pranon se në atë plan Kosova e merr njëfarë obligimi për zbatimin e marrëveshjeve të deritanishme. Dhe meqë këtë Asociacion e ka hedhur poshtë Gjykata Kushtetuese, sipas kryeparlamentarit, duhet të gjendet një formë e re e Asociacionit.

Të ngjashme