“Peja, qyteti i basketbollit”. Kjo është thënia që për kohë të gjatë, me shumë krenari e kanë përsëritur tifozët nga qyteti perëndimor i vendit, shkruan sot Koha Ditore.
Marrë për bazë traditën dhe sukseset e kaluara, Peja mund të vazhdojë të quhet qytet i basketbollit. Por nëse për bazë merret gjendja në tabelën e Superligës së Kosovës në basketboll, apo gjendja aktuale e sportit të koshit në vend, atëherë qyteti i Pejës është prapa qyteteve të vogla me traditë fare të vogël në këtë sport.
Nga Peja në Superligë garon skuadra Borea, që së fundi nuk ka mundur të organizojë ndeshje kampionale dhe ka paralajmëruar mundësinë e tërheqjes nga garat.
Borea të dielën është dashur të presë në Pejë skuadrën nga Suhareka, Golden Eagle Ylli, në kuadër të xhiros së 14-të, të fundit për vjeshtë të Superligës së Kosovës në basketboll. Por Borea gjatë javës së kaluar ka njoftuar FBK-në se nuk do të organizojë këtë ndeshje.