Meqë kufiri që e ndanë Holandën prej Belgjikës kalon tejpërtej hyrjes në studion dhe galerinë e saj të arteve, Sylvia Reijbroek u zhyt në dilemë se rregullat e cilit shtet duhej t’i ndiqte kur koronavirusi mbërtheu Evropën.
Për të qenë e sigurt, Reijbroek vendosi t’i ndjekë rregullat belge, meqë galeria e saj ishte regjistruar ilegalisht aty dhe e mbylli biznesin. Por për të ishte zemëruese t’i shihte klientët tek hyjnë e dalin nga qendra e bukurisë fare përskaj biznesit të saj – në Holandë.
“Është vetëm një dyqan në rrugë që duhej t’i përmbahej ligjit belg dhe të mbyllej”, ka thënë ajo. “Dhe ai është imi”.
Ngatërresa
Teksa vendet evropiane kanë nisur që t’i lehtësojnë kufizimet në jetën publike në faza të ndryshme, me ç’rast disa kanë lejuar rihapjen e bizneseve e disa mbesin në izolim, dallimi në masa po nxit konfuzion për udhëtarët dhe qytetarët e shumtë që jetojnë në zonat kufitare dhe kalojnë rregullisht kufijtë. Dhe askund, mund të thuhet lirisht, këto strategji të ndryshme nuk janë më të dukshme dhe ngatërruese sesa në qytetin kufitar Baarle-Hertog-Nassau, ku rregullat mund të ndryshojnë nga rruga në rrugë, shtëpia në shtëpi dhe madje përbrenda ndërtesave, meqë ligjet holandeze vlejnë në njërën anë dhe ato belge vetëm pak hapa më tej.
Baarle-Hertog-Nassau i referohet situatës më të ndërlikuar kufitare të botës. Qyteti shtrihet disa kilometra përbrenda Holandës, por si rrjedhojë e një marrëveshjeje arritur midis udhëheqësve feudalë më 1198, është ndarë pothuajse barabartë mes dy shteteve – Belgjikës dhe Holandës.
Por ky është vetëm fillimi i misterit. Përbrenda akëcilës palë ka enklava që i përkasin tjetrës – 22 enklava belge në anën holandeze dhe tetë holandeze në anën belge, duke e krijuar një mishmash kufitare.
Secila enklavë u nënshtrohet ligjeve shtetërore, duke krijuar një gërshetim rregullash dhe rregullimesh përplasëse – “por pa trazime dhe kundërvënie që rëndom ndërlidhen me enklava”, ka thënë Willem van Gool, një zyrtar turizmi.
Derisa paqja mbizotëron në të dyja anët e kufirit, kjo nuk do të thotë se situata është kollaj e menaxhueshme madje edhe në rrethana normale. Me shpërthimin e koronavirusit, gjendja është bërë “absurde”, ka thënë Reijbroek.