Nëpërmjet katër objektivave kryesore strategjike mëtohet të krijohet një shtyllë e qëndrueshme për kulturë dhe zhvillim ekonomik në Mitrovicë, duke fuqizuar industrinë kreative dhe turizmin kulturor. Një gjë e tillë parashihet në “Strategjinë për kulturë dhe turizëm”.
Ky dokument ishte iniciuar para dy vjetësh, menjëherë pas marrëveshjes së arritur në mes organizatës kulturore “7Arte” dhe Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport në Mitrovicë, por u miratua tek të premten, shkruan sot “Koha Ditore”.
Kjo strategji, që si vizion ka “Mitrovica, qytet universitar me kulturë të zhvilluar”, sipas njerëzve të fushës nga ky qytet, për katër vjetët e ardhshëm do të shërbejë si udhërrëfyes për reformime të qeverisjes kulturore në qytet. Objektiva e parë e këtij dokumenti është rritja e pjesëmarrjes në jetën kulturore të qytetit të Mitrovicës.
E dyta ka për qëllim reformimin e qeverisjes së kulturës në qytetin e Mitrovicës, e treta të iniciojë zhvillim të qëndrueshëm të turizmit kulturor dhe ekonomisë kulturore. Po ashtu parasheh komunikimin dhe promovimin e kulturës së turizmit.