Qyteza italiane që po ka vështirësi t’i shesë shtëpitë për 1 euro

Prishtinë | 30 Mar 2024 | 17:02 | Nga Ekonomia Online

Shitjet prej një euro të shtëpive në Itali kanë tërhequr shumë interesim gjatë viteve të fundit, me dhjetëra që kanë zgjedhur të marrin prona të braktisura në disa prej qytezave të shpopulluara të vendit.

Por, ndërsa qytezat si Mussomeli në Sicili dhe Zungoli në Campania kanë arritur të shesin shtëpi të ndryshme te të huajt që duan të jetojnë ëndrrën italiane, disa janë përballur me vështirësinë për të shitur shtëpitë.

Mes tyre është Patricia, një fshat i largët me gati 3,000 banorë në jug të Romës, ku mbi 40 prona janë lënë të kalben që në fillim të viteve 1900.

Patricia është një vend piktoresk, por jeta aty nuk ka qenë e lehtë për banorët në të kaluarën.

Shumica janë larguar në kërkim të një të ardhme më të mirë diku tjetër, duke i lënë shtëpitë e tyre të braktisura për dekada, shkroi CNN.

Në përpjekje për t’i sjellë jetë, kryetari i Patricias, Lucio Fiordaliso, është përpjekur të ndjekë suksesin e qytezave të tjera italiane të cilat i kanë vënë në shitje për një euro shtëpitë e tyre. Por, deri tani ka pasur pak sukses.

Në Patricia janë shitur vetëm dy shtëpi sipas skemës prej një euro. Problem në shitjen e pronave konsiderohen edhe lidhjet familjare të pronarëve, pronat e të cilëve trashëgohen ndër breza dhe migrimi i tyre e ka bërë të vështirë të gjurmohen.

Në situata ku disa familjarë janë të përfshirë, të afërmit mund të zgjedhin të mos e shesin pjesën e vetë për shkak të mosmarrëveshjes së trashëgimisë, apo si formë hakmarrjeje. Ndërsa, pronarët që jetojnë tjetërkund mund të jenë të vetëdijshëm se po të paraqiten do t’u duhet të paguajnë taksat për pronën dhe faturat e papaguara deri tash.

Një tjetër arsye për Patrician, mund të jetë edhe gjendja e rëndë e shtëpive. Disa prej tyre janë shumë të vjetra për t’u shitur.

Të ngjashme