E zuri vinçi derisa ishte duke punuar në Prishtinë, i lënduari në gjendje stabile

Prishtinë | 21 Pri 2026 | 15:37 | Nga Ekonomia Online

Një person është lënduar sot në vendin e punës në një punishte në lagjen “Dragodan” në Prishtinë, pasi një vinç është rrëzuar gjatë punës, duke e zënë punëtorin, raporton Ekonomia Online.

I lënduari është dërguar për trajtim në Klinikën Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ndërsa gjendja e tij raportohet stabile dhe trajtimi do të vazhdojë në Klinikën e Ortopedisë.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, ka thënë për Ekonomia Online se sot rreth orës 10:00 kanë pranuar informatën se një person është lënduar derisa ishte duke punuar në rrugën “Bashkim Fehmiu” në Prishtinë, duke shtuar se njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe se personi i lënduar është dërguar për trajtim mjekësor, ndërsa aktualisht njësitet relevante janë duke u marrë me sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.

“Sot rreth orës 10:00 kemi pranuar informatën se një person është lënduar deri sa ishte duke punuar në rrugën Bashkim Fehmiu në Prishtinë. Njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes kurse personi i lënduar është dërguar për tretman mjekësor. Aktualisht njësitet relevante janë duke u marrë me sqarimin e plotë të rrethanave të rastit”, tha ai.

Mjekja në Klinikën Emergjente, Dafina Basholli, ka thënë për Ekonomia Online se gjendja e të lënduarit është stabile, duke bërë të ditur se pas trajtimit në dhomën e reanimacionit dhe ekzaminimeve radiologjike, pacienti do të vazhdojë trajtimin në Klinikën e Ortopedisë.

“Gjendja e tij është stabile. Pas trajtimit në dhomën e reanimacionit dhe ekzaminimeve radiologjike, pacienti do të vazhdojë trajtimin ne Klinikën e Ortopedise”, tha ajo.

Të ngjashme