Avokati i familjes së viktimës Liridona Ademaj, Leotrim Syla, ka deklaruar se aktgjykimi i shpallur është i bazuar në provat materiale të administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor, por ka paralajmëruar se do të ushtrojnë ankesë lidhur me lartësinë e dënimit, raporton Ekonomia Online.
Syla tha se në këtë rast janë shqiptuar dy dënime me burgim të përjetshëm dhe një dënim prej 30 vitesh, të cilin e cilësoi si “kuazi-dënim me burgim të përjetshëm”, ndonëse një formë e tillë nuk parashihet si e tillë në Kodin Penal.
“Ashtu siç tha edhe Leonardi, sot drejtësia foli. Sot u nxor një vendim konform prova materiale që janë administruar në shqyrtim gjyqësor. U shqiptuan dy dënime me burgim të përjetshëm dhe një kuazi-dënim me burgim të përjetshëm, edhe pse si i tillë nuk parashihet me kod, pasi që ishte vetëm në kohëzgjatje prej 30 vitesh. Por që, duke pasur të drejtën që ta apelojmë edhe në Gjykatën e Apelit konform lartësisë së dënimit, konsiderojmë që do të bëjmë edhe ankesë. Sido që të jetë, ka qenë një proces i ngarkuar. Kuptojmë edhe gjykatën për këtë vendim. Duhet të jemi të matur dhe të respektojmë vendimet e gjykatës, t’i pranojmë si të tilla dhe të ushtrojmë mjetet juridike që kemi në dispozicion”, tha ai.
Ai foli edhe për praninë e ekipit hetues dhe stafit të prokurorisë gjatë shpalljes së vendimit, duke e cilësuar si praktikë të zakonshme dhe të arsyeshme, për shkak të angazhimit të tyre në këtë rast.
“Është normale që prokuroria të thërrasë gjithë ekipin hetues në një shpallje të vendimit. Siç e patë, edhe në anën e prokurorisë ishin prezentë bashkëpunëtori profesional, zyrtari ligjor i prokurorisë, përkthyesi nga gjuha serbe dhe zyrtarë të tjerë nga prokuroria. Hetuesit në këtë rast janë pjesë e stafit të prokurorisë dhe konsiderohen si të tillë. Të njëjtit kanë dashur që të shohin edhe frytet e punës së tyre të palodhshme, të cilët në orët e para pas vrasjes, mos të themi në orët e para, në momentet e para, janë përgjigjur me gatishmëri maksimale, ku kanë qenë aq të aftë dhe aq reflektues ndaj rastit, saqë një rast i cili është lajmëruar dhe i mbuluar me këllëfin e grabitjes, e kanë kthyer menjëherë dhe e kanë vërtetuar që nuk ka qenë grabitje, por ka qenë vrasje e rëndë”, tha ai.
Syla shtoi se mbrojtja e familjes do të vazhdojë të paraqesë pretendimet e saj edhe në instancat më të larta gjyqësore, duke kërkuar ndryshim të vendimit përkatës. “Të gjitha pretendimet tona, ashtu siç i kemi paraqitur deri tash edhe në shqyrtime gjyqësore, do t’i paraqesim me parashtresa të veçanta dhe konsideroj që ky dënim duhet të ndryshohet, por që i takon gjykatës të vendosë, sepse jemi para një gjyqi të provave dhe si të tillë presim që të ndodhë në Gjykatën e Apelit”, tha ai.
