Raci: Kosova s’ka kohë të merret me marrëveshje të përkohshme (për targat), Kurti nuk po dëshiron të ketë takime të shpeshta

Prishtinë | 20 Pri 2022 | 13:43 | Nga Lindita Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Sot dhe nesër pritet që ekipet punuese të takohen në Bruksel për të finalizuar marrëveshjen për targat mes Kosovës dhe Serbisë. Njohësi i çështjeve politike, Gazmir Raci, ka thënë për Ekonomia Online se Kosova nuk ka kohë më të merret me marrëveshje të përkohshme, dhe se duhet të ketë një zgjidhje përfundimtar

Ish-këshilltari i kryenegociatores Edita Tahiri thotë se ka ardhur koha që të dyja delegacionet të merren vesh dhe ta zgjidhin përfundimisht problemin me targat e veturave dhe të ecet pastaj në çështje të tjera që janë të hapura.

“Me synimin që Kosova dhe Serbia të arrijnë sa më shpejt drejt finales së marrëveshjes së përgjithshme për normalizim të marrëdhënieve. Nuk kemi kohë për të humbur për marrëveshje të përkohshme. Kosova ka synime që të arrijë marrëveshjen finale, këto synime po ashtu janë në koherencë edhe me synimet e SHBA-së të Administratës Biden, po ashtu të Bashkimit Evropian. Të gjitha palët e involvuara synojnë që të arrihet një marrëveshje ligjërisht e obligueshme për të dyja palët”, tha Raci për EO.

Madje ai shtoi se palët duhet të takoheshin më shpesh për të diskutuar, por sipas tij, Kurti nuk po dëshiron të ketë takime të shpeshta.

“Konsideroj që nuk ka pasur takime të shpeshta, do të ishte më mirë që palët të takoheshin më shpesh, sepse po ashtu ndikon edhe në normalizimin e raporteve personale në mes të ekipeve të delegacioneve ndikon pozitivisht edhe në frymën e bashkëpunimit, frymën e takimeve dhe i bënë palët më të përgjegjshme sepse janë gjithmonë të kyçura në këtë proces. Por është qasje e e re e Qeverisë Kurti që nuk dëshiron të takohet shpesh. Unë do të dëshiroja që këto elemente që kanë mbetur ende nga dialogu teknik të zgjidhen përfundimisht”, tha ai.

“Dua të besoj që marrëveshja do të arrihet dhe shpresojë që involvimi i SHBA–së dhe BE-së së bashku do t’i shtynë palët që ta zgjidhin këtë problem përfundimisht në mënyrë që Ballkani Perëndimor të fillojë të futet në normalitet duke pasur parasysh edhe zhvillimet e fundit gjeo-politike dhe invazionin rus në Ukrainë. Kishim zgjedhje disa paleshe në në Serbi, natyrisht edhe fillimi i luftës dhe invazionit rus në Ukrainë po e ngadalëson procesin. Po ashtu në Qeverinë amerikane e kishim një emisar të ri që u caktua, z. Escobar, kishim po ashtu vizita të dy përfaqësuesve ndërkombëtar në Kosovës, tash është koha që pas zgjedhjeve në Serbi palët të ulën seriozisht në tavolinë dhe brenda këtij viti t’i vendosim pikat kryesore të asaj marrëveshje finale”, tha tutje Raci.

Të ngjashme