Radikalizmi online, mënyra kryesore e grupeve terroriste për rekrutim në Ballkanin Perëndimor

Prishtinë | 06 Qer 2018 | 12:04 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Projekti i financuar nga BE-ja, “Mbështetje e mëtutjeshme e institucioneve në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe ekstremizmit të dhunshëm”, në bashkëpunim me Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) kanë organizuar konferencën rajonale me temë “Parandalimi i radikalizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm në rrjetet sociale në Ballkanin Perëndimor”.

Hapja e konferencës u bë nga Ian McDonald – Udhëheqës i ekipit të projektit të financuar nga BE dhe nga Ricardo Serri – udhëheqës i sektorit për marrëdhënie Politike, Ekonomike dhe Integrime Evropiane nga Zyra e BE-së në Kosovë.

Konferenca dyditore konsiston nga 5 panele ku në panelin e parë u diskutua tema: “Përgjigjja shtetërore ndaj radikalizmit online në Ballkanin Perëndimor”.

Ricardo Serri tha se interneti po përdoret si vegël për propagandim dhe organizim të sulmeve terroriste.

“Është me rëndësi të diskutojmë sot në interes të veçantë, sepse interneti përdoret si vegël kryesore për të propaganduar dhe organizuar sulme terroriste në shoqëritë tona. Në lidhje me këtë ka ndikim pak niveli i lartë i papunësisë, në nivel të Kosovës, papunësia është problem i madh. Si BE ne po mundohemi t’i mbështetim institucionet dhe njerëzit këtu që ata të kenë mundësi për punësim”.

Ai bëri të ditur se QKSS-ja ka publikuar një raport që përfshin tri shtete të Ballkanit Perëndimor: Kosovën, Shqipërinë dhe Maqedoninë, raporton Ekonomia Online.

Serri tha se do të bëhet më shumë për luftimin e ekstremizmit në internet. Çështje tjetër e rëndësishme, sipas tij, është bashkëpunimi me të gjitha bashkësitë, institucionet, qeveritë e shoqëritë civile për trajtimin dhe parandalimin e ekstremzimit dhe radikalizmit.

“Projekti ka objektivë kryesore përballimin e ekstremizmit të dhunshëm. Ne kemi partneritet me QKSS-në për të dhënë ndihmë në këtë projekt. QKSS ka bërë një hulumtim të dobishëm dhe besoj se ky raport është në dispozicion dhe pjesa e parë e këtij raporti merret me radikalizmin në internet, posaçërisht me radikalizmin në gjuhën shqipe”.

Florian Qehaja, drejtor i QKSS-së, tha se kjo konferencë është unike për arsyen se është e specifikuar në radikalizmin online.

“Në bazë të hulumtimit që ne e kemi bërë si qendër, kemi konstatuar se kemi një zhvendosje të rekrutimit të individëve në rekrutim në nivel të platformave online në rrjete sociale si Facebook, Twitter”.

Panelisti i parë, Kujtim Bytyqi, nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare, tregoi se ky këshill ka marrë rol monitorues të strategjisë kundër ekstremizmit dhe radikalizmit, raporton EO.

“Këshilli për siguri kombëtare ka marrë një rol monitures të strategjisë në kuadër të aktiviteve me plan të veprimit. Deri në vitin 2015, përveç strategjisë kundër terrozimit, Kosova nuk ka pasur strategji për parandalim të ekstremizmit dhe radikalizmit”.

Bytyqi tregoi se cila janë objektivat e strategjisë kundër ekstremizmit.

“Strategjia ka katër objektiva: evidentimi i hershëm, parandalimi, intervenimi dhe procesi i deradikalizmit, i riintegremimit dhe rehabilitimit. Që nga fillimi, nëpër grupet tona punuese ne kemi angazhuar të gjithë, strategjinë ne e zbatojmë me të gjithë: anëtarë të ministrive, shoqërinë civile, bashkësitë fetare dhe partnerët ndërkombëtarë”.

Sipas Bytyqit, përdorimi i rrjeteve sociale ka kontribuar në shkuarjen e njerëzve në Siri, posaçërisht përdorimi i Facebook-ut dhe Youtube-s.

“Në kuadër të hulumtimeve të ndryshme, një nga faktorët e shkuarjes së njerëzve në Siri ka qenë përdorimi i rrjeteve sociale. Në shumicën e rasteve Facebook-u, i cili përdoret shumë në Kosovë dhe Yutube kanë qenë dy nga rrjetet që janë përdorur më së shumti nga shqiptarët”.

Panelisti Bytyqi bëri të ditur se plani i veprimit të tyre ka pasur aktivitete që kanë të bëjnë me parandalimin e njerëzve në rrjete sociale.

“Kosova prin në regjion sa i përket luftimit të radikalzimit dhe ekstremizmit. Ne jemi munduar të punojmë në të gjitha fushat dhe mund të krenohemi se Kosova mund të promovojë apo ‘të shesë diçka’ nga kjo në shtete të tjera. Po punojmë së bashku që fenomenin e ekstremizmit të dhunshëm ta luftojmë së bashku si shoqëri”.

Agron Sojati, koordinator nacional nga Shqipëria, tha se mbështetja e institucioneve ndihmon luftimin e radikalizmit.

“Ka një plan veprimi në Kosovë, ka një qendër që vazhdon rekrutimin e personelit dhe pjesa më e mirë e kësaj është që vetë institucionet kanë draftuar planin e veprimit vjetor për çdo ministri duke filluar nga ajo e Arsimit, e Drejtësisë, e Brendshme dhe Ministria e Shëndetsisë, e cila mbulon aspektin social të këtij problemi”.

“Numri i shqiptarëve që shkojnë në Siri është 800-900, numër që ka zënë në befasi institucionet dhe shoqëritë civile”.

Simeon Dukiç, zëvendëskordinator kombëtar për luftimin e ekstremizmit të dhunshëm në Maqedoni, tha se numri i madh i platformave sociale në internet bëjnë të pamundur gjenerimin e të dhënave të mëdha që procesohen.

“Në gusht të vitit të kaluar, Republika e Maqedonisë e ka krijuar komitetin nacional për parandalimin e luftimin e ekstremzimit.  Kemi institucione që merren: Agjencia e Inteligjencës, Ministria e Brendshme, Agjencia e Administratës Eletronike”.

Dukiç tha se trajnimi i shoqërisë civile përmes workshopeve mund të kontribuojë në definimin e masave për mbrojtjen e grupeve të të rinjve që mund të radikalizohen.

Ai tha se Maqedonia ka krijuar plan për përfshirjen edhe të mediave në luftën kundër radikalizmit.

“Kemi krijuar një plan për të ndihmuar se si të kontaktohen mediat dhe si të flasin për këto çështje sepse ka shumë raste kur mediat kanë luajtur më shumë rol negativ sesa pozitiv”.

Henry Tuck, Ekspert nga Instituti për Dialog Strategjik në Londër, tha se ky institut ka bërë hulumtim gjatë viteve 2010-2011 për ta kuptuar përhapjen e ekstremizmit në internet.

“Ekstremistët gjithmonë kanë përdor teknologjinë dhe shpesh na kanë kaluar në përpjekjet e tyre. Kanë përparësitë e tyre, punojnë shumë, fatkeqësisht, në radikalizmin e tyre dhe pastaj arrijnë suksese duke kaluar kohë të gjatë në internet, duke e përdorur teknologjinë në mënyrë më të mirë”.

“Tani për tani sfida në internet është e madhe, ka akterë të ndryshëm që merren me këto rrjete sociale dhe shumë shtete përballen me këto rrjetes sociale në mënyrë  të ndarë. Qeveritë janë të fokusuar në rrjete sociale dhe përmbajtje dhe shpesh nuk ka shumë të dhëna se çfarë rregullimi duhet të bëhet në këto rrjete sociale”.

Të ngjashme