Ndarja e grantit të performancës për komunat fituese të aksionit “Ta pastrojmë Kosovën”, ka krijuar pakënaqësi tek zyrtarët e Komunës së Rahovecit.
Drejtori i Shërbimeve Publike, Përparim Krasniqi, ka shprehur keqardhjen që Rahoveci nuk është në mesin e komunave përfituese të grantit të ndarë nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), ndonëse sipas tij, kjo komunë i ka përmbushur, e madje në disa raste edhe i ka tejkaluar gjashtë kriteret e performancës për grantin në fjalë, shkruan sot Koha Ditore.
Krasniqi ka sqaruar në rrjetet sociale se Komuna i Rahovecit e ka prioritet mbrojtjen, ruajtjen dhe kultivimin e mjedisit të pastër dhe në kuadër të kësaj ajo ka përpiluar një plan operacional, që ka filluar të zbatohet nga marsi i vitit 2018, teksa bashkëpunimi dhe plani i organizatës “Let’s Do It Kosova”, ka filluar të implementohet 6 muaj më vonë – në shtator të vitit të kaluar.