Rahoveci mbështet Programin Nacional për Rininë

Prishtinë | 26 Nën 2018 | 12:54 | Nga Ekonomia Online

Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Kosovës, Rexhep Hoti u prit sot në një vizitë zyrtare nga Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi dhe Drejtori Komunal i Arsimit z. Avni Morina.

Në këtë vizitë, Koordinatori Hoti nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me Kryetarin Latifi për realizimin e Programit Nacional për Rininë në Komunën e Rahovecit.

Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti vlerësoi lartë gatishmërinë për bashkëpunim të Kryetarit Latifi për realizimin Programin Nacional për Rininë dhe e falënderoi atë për mbështetjen e ofruar.

“Programi Nacional për Rininë është hartuar për të gjithë nxënësit e Republikës së Kosovës të nivelit fillor, të mesëm të ulët dhe të mesëm të lartë. Në kuadër të këtij programi do të organizohen gara në tri fusha kryesore: dituri, kreativitet kulturor dhe mendim kritik si dhe në sport. Për të trija fushat janë përgatitur udhëzuesit për rrjedhën e garës. Roli i komunës në realizimin e këtij programi është i rëndësishëm prandaj ju falënderoj për mbështetje”, tha Koordinatori Hoti.

Ndërsa, Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi tha se komuna që ai udhëheq është e  gatshme të realizojë Programin Nacional për Rininë.

“Jemi të gatshëm të implementojmë çdo program që është i nivelit të lartë shtetëror si dhe që është në të mirë të rinisë. Bashkë me Drejtorinë Komunale të Arsimit do të bashkëpunojmë me Koordinatorin Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport për të implementuar Programin Nacional për Rininë”, tha ndër të tjera Kryetari Latifi.

Koordinatori Hoti në këtë takim ishte i shoqëruar nga zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë z. Azem Guri i cili tha se me këtë program do të përmirësohen rezultatet e vlerësimeve të jashtme.

“Programi Nacional ka një shtrirje gjerë, që përfshinë prindërit, shkollat përkatësisht mësimdhënësit e drejtoritë e Arsimit. Përmes këtij programi synohet përmirësimi i rezultateve nga vlerësimet e jashtme që bëhet për klasat e pesta, Testit të Arritshmërisë dhe atij të Maturës. Gjithsesi do të ndikojë edhe në avancimet e rezultateve të Testit PISA”, tha Guri.

Kjo marrëveshje përcakton angazhimet e ndërsjella të palëve nënshkruese për implementimin e Programin Nacional për Rininë dhe për organizimet e përbashkëta të aktiviteteve që kanë të bëjnë me diturinë, kreativitetin kulturor dhe mendimin kritik, si dhe sportin. ​

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme