Agjenti i mirënjohur italian, Mino Raiola ka thënë se dënimi ndaj tij është “politik” pas kritikave që kishte bërë ndaj Federatës italiane të Futbollit.
Calciomercato.com ka raportuar se Raiola është suspenduar për tre muaj nga aktivitetet e tij si agjent.
Mësohet se ai është suspenduar për një marrëveshje që lidhet me transferimin e sulmuesit të Sassuolos, Gianluca Scamacca te klubi holandez Zwolle.
Megjithatë Raiola beson se ai është dënuar për shkak se e ka quajtur FIGC-në “të dobët dhe joekzistentë”.
“Ndjej se ky dënim është për shkak të një vullneti politik, pa llogaritur ligjin. Ky sanksionim është i bazuar në ide të gabuara dhe gënjeshtra. Ligji dhe drejtësia duhet të mbizotërojnë në çdo sistem dhe shpresoj se emri im do të rivendoset në kapitullin tjetër të kësaj historie. Mendoj se FIGC s’i ka falur kritikat e mia për rolin që ka luajtur në gjendjen katastrofike të futbollit italian, si dhe rolin e saj në problemet me racizëm. Mendimet e mia me siguri ndikuan në këtë vendim”, ka shkruar Raiola në një postim në Twitter.
Ai thotë se për këtë padrejtësi do të kërkojë drejtësi në gjykatë, pasi thotë se objektivi i tij kryesor mbetet interesi i futbollit italian.