Në Londër po zhvillohet Samiti i Ballkani Perëndimor ku janë të pranishëm kryeministrat e 6 vendeve, të cilat aspirojnë të bashkohen sa më shpejt me Bashkimin Europian.
I pranishëm midis liderëve të tjerë politikë, kryeministri Edi Rama ka theksuar rëndësinë që ka për Shqipërinë dhe fqinjët tanë çelja e negociatave me BE-në.
Për të argumentuar këtë ai mori shembullin e Serbisë dhe Malit të Zi, të cilat përfituan rritje ekonomike dhe shtim të investimeve e interesit të huaj.
“Kemi një bashkëpunim intensiv me BE, por shpresojmë që të vazhdojmë mbi këtë rrugë duke ecur në nivele të tjera. Në presidencën bullgare patëm bisedime të mira. Ne besojmë shumë që të ecim përpara me një vizion të vetëm dhe kjo do të ndryshojë të gjithë mjedisin në rajon”, tha Rama.
Kryeministri shqiptar theksoi se “nuk po kërkojmë të bëhemi menjëherë pjesë e BE-së, por po kërkojmë të çelim negociatat e anëtarësimit”.
“Ju duhet t’i shikoni të gjitha përpjekjet e secilit vend të Ballkanit Perëndimor përsa i përket masave transformuese për atë çfarë është kërkua nga ne. I bëj thirrje BE-së, nëse nuk kanë më para për ne është OK, por të tregohen më bujar me ne pasi kështu do të kemi një BE më të sigurt”, deklaroi ai.