Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, në një intervistë për Ekonomia Online është shprehur optimist se testimi i unazës qendrore në kryeqytet, do të funksionojë në të ardhmen.
Rama tha se testimi i sotshëm për dallim të herëve të kaluara që është bërë gjatë vikendit, ka ndodhur për shkak që të premteve kryeqyteti është më i ngarkuar me vetura, andaj ka qenë i nevojshëm për të shikuar dhe kuptuar problemet në komunikacionin e Prishtinës.
I pari i kryeqytetit ka thënë se testimet nëpër rrugë duhet të bëhen për të kuptuar saktë problemet që janë në komunikacion. Madje sipas tij, monitorimi po bëhen edhe me dron.
“Po sot e dini që jemi në fazën e testimeve, kemi bërë dy të tilla më mëparshme të cilat kanë qenë gjatë vikendit dhe normalisht që kjo është pjesë e moblitetit të kryeqytetit edhe si e tillë është e pashmangshme testimet e tilla. Unë ju lus të gjithë qytetarëve që të kenë mirëkuptim se e di që është hera e parë që bëhet ky testim gjatë javës, dhe na jep një informatë shumë në të”, u shpreh Rama, teksa tha se kanë angazhuar ekipe me dron për të vëzhguar situatën nga lartë.
Ai përmendi edhe projektet për rrugën A, ku në fund do të bëjnë një raport përfundimtar për këtë testim.
“Kemi angazhuar edhe Policinë e Kosovës, dronët nga lartë për të parë se nga cilat pika po vijnë ose po krijohen këto problemet e shumta në trafik. Normal që tash jemi në proces të krijimit të rrugës A, e cila është mese e nevojshme për kryeqendrën, të ndërlidhjes së rrugës A me rrugën B, po ashtu edhe kemi përfunduar dizajnin e unazës së mesme, pra gjitha këto si pjesë e procesit të mobilitetit dhe të rishikimit të trafikut në gjitha zonat e kryeqytetit. Ky transformim i rrugës një kraharorë normal që është dashtë me u testu edhe gjatë javës, e premtja është një ditë shumë e ngarkuar, dhe po ashtu kemi marrë informata nga ekipet në terren rreth trafikut”, tha Rama.
Rama tha se është normale që në fillim të këtij testimit të ketë kolona, por sipas tij, qytetarët duhet të presin dhe më pas do t’i shohin ndryshimet pozitive që do të bëhen me këtë testim të rrugës njëkahore.
“Dikush me marr vendime për të bërë teste në të mirë të kryeqytetit, pra normal se çdo intervenim i cili tenton të bëjë një ndryshim të mirëfilltë, ka edhe impakt se këtu çka shihet, shihet se ka rrugë të mangëta dhe të pakëta dhe organizimi i rrugës në qendër nuk është i mirëfilltë, dhe për këtë arsye krijohen ngarkesa të ndryshme”.
“Po ashtu po shohim se cilat elemente po krijojnë këtë tollovi, pra nuk mundesh t’i evitosh një tollovie të mundshme, për arsye se njerëzit nuk e dijnë, sepse një numër i madh i qytetarëve nuk janë të informuar edhe nuk presin një vendim të tillë. Gjatë javës kemi një numër të madh të qytetarëve nga qytetet tjera që vijnë me makina në Prishtinë, dhe krijojnë tollovi në trafik, kështu që sot kjo është duke na treguar pikat kyçe se nga po vijnë, që ne ta ndërlidhim atë me parkingje”, tha ai.
Blerja e 30 autobusëve të rinj sipas Ramës do të ndikojnë në uljen e numrit të veturave në kryeqytet. Ai tha se tashmë janë në proces për t’i blerë këta autobusë, raporton EO.
“Tash veçse i kemi në proces edhe 30 autobusë shtesë për kryeqytetin, po ashtu edhe kontrata me sektorin privat që t’i kenë autobusë të rinj, pra e gjithë kjo një strategji multidimensionale që do të na mundësojë që ta rregullojmë kryeqytetin në mënyrë më të denjë”, u shpreh tutje Rama.
LEXONI EDHE: