Serbia ka shprehur synimin që të hyjë në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, me tendencën që t’i prishë marrëdhëniet mes dy vendeve. Nëpërmjet dy letrave dërguar kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, ka shprehur shqetësimin se gjërat në rajon po shkojnë tmerrësisht keq, shkaku i Kosovës, shkruan sot Koha Ditore.
Kësisoj, ajo ka shkuar aq larg sa t’i kërkojë Ramës ta rishikojë pozicionin e tij mbështetës për shtetin që shpalli Pavarësinë më 17 shkurt 2008. Në letërkëmbimin që ka siguruar “Koha Ditore”, Rama shpreh habinë me kërkesën e Bërnabiqit, teksa i ka kujtuar asaj vuajtjet që Serbia ia ka shkaktuar Kosovës në shekullin e kaluar, dhe pengesat e tanishme ndaj përpjekjeve të Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
“Siç e thoni në të dyja letrat, vendi im ka vendosur besimin më të madh në Republikën e Kosovës dhe autoriteteve të saj. Kjo është me të vërtetë lidhja jonë natyrore si një komb, që rrjedh jo vetëm nga lidhja jonë e veçantë me Kosovën, por më e rëndësishmja nga angazhimi i bashkësisë ndërkombëtare dhe vetë Kosovës për të forcuar shtetësinë dhe për të ndërtuar një vend demokratik, multietnik dhe shumë-besimesh”, shkruan në letërkëmbimin e Ramës, që mban datën 3 dhjetor 2018.