Rama: Do të jetë sezoni më i pastër turistik

Prishtinë | 01 Maj 2024 | 14:00 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri Edi Rama garantoi sot se ky do të jetë sezoni më i pastër për ujërat larës në detet e liqenet e vendit, ndërsa u ndal te masat drastike që janë vendosur ndaj sipërmarrjeve që ndotin ujërat.

Gjatë vizitës në impiantin e Ferrokromit të AlbChrome në Elbasan, Kryeministri u shpreh se “nuk pretendojmë se nuk do të ketë defekte, por me vendosjen e një mase drastike për të gjithë sipërmarrjet në fushën e hotelerisë dhe industrisë së mikpritjes po shohim rezultate që na bindin se sezoni i ardhshëm do jetë perfekt edhe në këtë aspekt”.

Rama vuri në dukje se jemi në një fazë të re ku Shqipëria ka kaluar me sukses procesin e skanimit të Bashkimit Europian me çeljen e negociatave dhe ka marrë angazhime të forta lidhur me mjedisin.

Rama theksoi se është përgjegjësi kombëtare dhe institucionale respektimi, mbrojtja dhe përmirësimi i cilësisë së mjedisit.

“Ligjet për përgjegjësinë e zgjeruar të prodhuesit dhe menaxhimin e integruar të mbetjeve janë një shëmbëlltyrë e kësaj faze të re. Këto ligje janë në zhvillim e sipër e së shpejti i kalojnë parlamentit”, tha Rama.

Duke folur mbi mbrojtjen e mjedisit, Kryeministri theksoi se sipërfaqja e mbrojtur në vendin tonë është rritur nga 17% në 22%.

“Ashtu sikundër edhe kontrolli i shoqëruar me masa drastike ndaj sipërmarrjeve po jep rezultate pozitive. Mjafton të marrim shembullin e ndalimin drastik të derdhjes së ujërave të ndotura në ujërat larës të detet e liqeneve tona që ka sjellë një angazhim të përgjithshëm të sipërmarrjeve hoteliere për të garantuar përpunimin dhe filtrimin e ujërave të ndotur dhe për të ndalur atë terror ekologjik që ka karakterizuar për shumë vite zhvillimin e turizmit dhe infrastrukturës hoteliere me derdhjen në det të ujërave të ndotura”, tha Rama./atsh

Të ngjashme