Rama: Fillimisht trajnimi i personelit, pastaj shtimi i pajisjeve të reja

Prishtinë | 10 Shk 2019 | 07:49 | Nga Lirik Sylmeta Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në kohën kur Forca e Sigurisë së Kosovës ka marrë misionin dhe mandatin e saj të ri ushtarak, atë të Ushtrisë, është përgatitur plani 10 vjeçar për transformim konform Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe kritereve të  NATO-s, aty ku pretendon të bëhet pjesë edhe FSK-ja.

Forca po synon që nga viti në vit të ngritë kapacitetet logjistike dhe personelin ushtarak, gjithmonë duke u bazuar në buxhetin që ka.

Sa i përket shtimit të kapaciteteve logjistike, si pajisjet dhe aparaturat ushtarake, që FSK-ja do t’i posedojë në të ardhmen, kërkohet që fillimisht të ketë personel të trajnuar.

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtnant Rrahman Rama, tha në një intervistë për Ekonomia Online, se ndonëse këtë vit nuk mund të pritet që Ushtria të pajiset me mjetet e reja, një gjë e tillë, sipas Ramës, do të ndodhë gradualisht.

Sipas tij, nuk është problematike pajisja logjistike e FSK-së, por rëndësi ka të ketë personel të trajnuar  që ato pajisje të përdoren.

“I kemi dhënë prioritet d.m.th pajisjeve sidomos atyre të blinduara dhe sistemit të armatimeve por me kohë do të ju njoftojmë sepse është shumë herët sepse ende se kemi panin e prokurimit. Unë nuk e shoh një problem të blerjeve por me rëndësi është që ne të kemi personelin e trajnuar, të zhvilluar profesional që ato pajisje të përdoren. Personeli jonë qofshin ushtarë, cofshin oficerë, nënoficerë të jenë të gatshëm t’i përdorim ato. Dhe kjo është qëllimi, i kemi dhënë prioritet, i kemi dhënë edhe në të kaluarën dhe ndjehem shume mirë sepse ato njohuritë bazë dhe atë bazën për përdorimin e pajisjeve më të sofistikuara i kemi dhe ne jemi vetëm duke i rritur bashkërisht me partnerët tanë që i kemi dhe kjo është ideja”, u shpreh Rama.

Rama shtoi se rritja e Forcës së Sigurisë së Kosovës, do të shkojë gradualisht sipas parashikimeve dhe planit që është bërë.

Sipas Ramës, Kosova ka nevojë për pesë mijë pjesëtarë aktiv dhe 3 mijë rezervë në FSK.  Kjo sipas tij, është bazuar në të gjithë faktorët e vendit, si numri i popullsisë, pozita gjeografike dhe rreziqet globale dhe ato që mund t’i kanosen vendit.

“Ne kemi ardhur tek strukturës finale duke u bazuar në gjithë faktorët e vendit, duke filluar prej numrit të popullsisë në të njëjtën kohë edhe pozita gjeografike por edhe rreziqet që mund ti ketë në të ardhmen, rreziqet aktuale por edhe globale por në të njëjtën kohë edhe rreziqe që ne i vlerësojmë brenda për brenda vendit tonë dhe mbi bazën e gjitha këtyre ekspertizave, analizave që kemi bërë ne kemi ardhur në përfundim që Kosova ka nevojë që ti ketë 5 mijë nënoficer dhe oficer ose strukturë të jetë në 5 mijë aktivë dhe 3 mijë rezervë”, tha Rama për Ekonomia Online.

Me konkursin e ri për rekrutë të rinj në FSK, sipas Ramës, këtë vit pritet që Ushtrisë t’i shtohen edhe 650 ushtarë të rinj, duke i plotësuar kushtet dhe përfundimin e trajnimit nëntë javorë.

Por sa i përket buxhetit që posedon Forca e Sigurisë së Kosovës, komandant Rama, pohon se Qeverisë i është kërkuar që çdo vit të rritet 5.5 milionë euro më shumë.

“Varësisht prej zhvillimeve që do i kemi, varësisht prej buxheti që do ta kemi, sepse ne edhe aspektin e buxhetit kemi qenë shumë të kujdesshëm, qëllimi ka qenë që ne mos të mbetemi barrë duke e marrë për bazë edhe gjendjen ekonomike faktike që e kemi në vend dhe ne kemi kërkuar nga ana e Qeverisë që t’i kemi për çdo vit 5.5 milionë më tepër për çdo vit që të rritet buxheti 5.5 milionë që çdo vit janë të përfshirë edhe rekrutime edhe pajisjet por edhe trajnimet që do të ndodhin bazuar në mandatin dhe misionin e ri që do ta kemi”, pohoi Rama.

Ndonëse Forcës së Sigurisë së Kosovës duke u bazuar në standardet e NATO-s, nuk i lejohet që Ushtria të bëhet obligative për qytetarët, komandanti i FSK-së thotë se janë duke hartuar një plan që të aktivizohen gjeneratat e reja dhe t’i mësojnë njohuritë bazike të ushtrisë.

Komandanti i FSK-së, shton se këto njohuri bazike do të epen për civilët e rinj, sepse në të ardhmen nuk mund të dihet se çka mund të ndodhë, andaj sipas tij, nevojitet mobilizim i përgjithshëm.

“Ne jemi duke hartuar një plan një ide se si në të ardhmen do ti aktivizojmë gjeneratat e reja jo që është obligative por që në shkolla, do ti ftojmë nëpër kampe do të jenë pjesë e ushtrimeve fushore, qëllimi është që edhe gjeneratat e reja ti kenë ato njohuritë bazike të sigurisë. Nuk e dimë që çka ka me ndodhë nesër mund të jetë një mobilizim i përgjithshëm dhe patjetër që të gjithë qytetarët duhet ti kenë njohuritë bazë të përdorimit të armëve por ta shohin edhe jetën ushtarake se si zhvillohet”, u shpreh gjenerallejtënant Rrahman Rama.

Gjenerallejtënant Rrahman Rama, tha se ky vit është përcjellë edhe me largime të pjesëtarëve nga FSK-ja. Kjo sipas tij, ka ardhur si ndikim i Ligjit për Pensionim të Parakohshëm.

Sipas Ramës, kjo është bërë edhe për t’i dhënë mundësi gjeneratave të reja të bëhen pjesë e Ushtrisë dhe për ta ruajtur bilancin e moshës, konform kritereve të NATO-s.

“Ka lëvizje, Foca është fleksibile gjithmonë lëvizin njerëzit, cofshin ato bazuar në kodet tona disiplinore që mund të ndodhin shkelje që ne jemi strikt d.m.th. në kuptimin e disiplinës. Ka edhe raste që ne bazuar edhe në rregulloret ju kemi dhënë mundësi gjeneratave të vjetra që të pensionohen parakohshëm. Arsyeja ka qenë që t’i krijohet hapësirë dhe mundësi gjeneratave të reja por në të njëjtën kohë ta mbajmë atë bilancin e moshës mesatare sepse është një kriter i NATO-s që ne duhet ta mbajmë”, tha Rama.

Përndryshe, këshilli Euro-Atlantik në fundin e janarit ka diskutuar për vendimin e shtetit të Kosovës për fillimin e fazës së tranzicionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri.

Ky këshill i ka dhënë 120 ditë afat kohor Kosovës, për të filluar ndryshimet në mënyrë që pas këtyre muajve të jepen edhe komentet e shteteve anëtare të NATO-s për FSK-në dhe Ministrinë e Mbrojtjes.  Ndërsa, deri me 5 mars, kryeministri i vendit pritet të miratojë strukturën e FSK-së.

Të ngjashme