Agroturizmi mund të zhvillojë të gjitha ato zona rurale që nuk kanë akses në det dhe në tregje bujqësore për shkak të pozicioneve të vështira gjeografike.
Kryeministri Edi Rama i drejtoi sot një ftesë të gjithë emigrantëve që jetojnë jashtë, që të vijnë në Shqipëri dhe të investojnë në agroturizëm.
Në një takim me operatorë turistikë, Rama vlerësoi se zona kodrinore rurale në Durrës ka një potencial të jashtëzakonshëm për agroturizëm, pasi ofron mundësira fantastike që duhen shfrytëzuar.
Me agroturizmin, tha Rama, po hapim një rrugë për të kanalizuar paratë e emigrantëve në ekonominë shqiptare.
“Një numër emigrantësh që rropaten përditë dhe kursejnë për të ndihmuar familjen apo për të garantuar të ardhmen, jam i bindur se nëse do të investojnë kursimet e tyre në shtëpitë në fshat për agroturizëm, do të kenë të ardhura në vit nga ky investim shumë më tepër se sa nga puna për llogari të dikujt tjetër”, tha Rama.
Sipas tij, “deri sot, kjo ishte e bukur por e vështirë me 20 % TVSH dhe Tatim Fitimin 15% dhe me një turizëm banal që zhvillohej me bukë me vete, dhe me ujërat e zeza nën këmbë”.
Kjo, tha Rama, nuk mund të ishte arsye për emigrantët që të mendonin seriozisht investimet e tyre në turizëm.
“Agroturizmi u jep një shans atyre që nuk e kanë shtëpinë në buzë të detit dhe nuk kanë akses në tregun bujqësor për shkak të pozicioneve të vështira gjeografike, por kanë në dispozicion një traditë të bukur që mund ta kthejnë në traditë mikpritje bazuar te suksesi dhe fitimi”, tha Rama.
Ne nuk do të reshtim së promovuari agroturizmin, vijoi ai, duke theksuar se banorët e këtyre zonave mund të investojnë dhe me mbështetjen e qeverisë, mund të eksportojnë mikpritje, shije e turizëm.
“Kjo është llogjika pse edhe për agroturizmin bëmë të njëjtin trajtim si hotelet me 4 dhe 5 yje, duke ulur TVSH-në në 6% dhe Tatim Fitimin 5% dhe duke hequr çdo taksë tjetër mbi lejen e ndërtimit”, shtoi Rama.
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.