Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, tha se Hashim Thaçi, është presidenti i Kosovës dhe kushdo që e konsideron atë tradhtar është “gomar”, raporton Ekonomia Online.
“Vetëm një gjë po e them, Hashim Thaçi është presidenti i Kosovës dhe komandanti i UÇK-së dhe kush ngre dorën kundër Hashim Thaçit duke e quajtur tradhtar është gomar”.
Këto komente ai i bëri kur u pyet për idenë e presidentit Hashim Thaçi, lidhur me korrigjimin e kufirit me Serbinë në kuadër të marrëveshjes përfundimtare.
Kreu i Qeverisë shqiptare tha se kjo çështje duhet trajtuar me një vizion të qartë strategjik, duke porositur që shqiptarët duhet të jenë të bashkuar, raporton EO.
“Qëndrimi im është se kjo është një çështje që duhet trajtuar me një vizion të qartë strategjik. Na takon të ulemi dhe ta shikojmë të ardhmen ne mënyrë të qartë. Është e qartë që sot jemi në një fazë ku duhet të ndarë shapi nga Shqipëria”.
“Nuk mund të vazhdoj dialogu me fotografi e takime kur nuk gjen zbatim konkret. Për mua asgjë nuk duhet përjashtuar por duhet parë me sy të ardhmes, shqiptarët nuk duhet ndarë”.
Rama në konferencën e përbashkët me kryeministrin Ramush Haradinaj, takimin e sotshëm e quajti më të suksesshëm deri më tani. Ai ka premtuar se brenda gjashtë muajve do të ketë zero tarifa ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Duke shtuar se duhet të shkohet drejt një unifikimi doganor.
“Në vazhdën e mbledhjeve të dy qeverive kjo është mbledhja me produktin më konkret pasiqë proceset e nisura janë në fazë të materializimit. Është procesi i nisur për heqjen e barrierave tarifore dhe brenda vitit të ardhshëm s’do të ketë më barriera tarifore dhe jo tarifore mes dy republikave. Do të bëhet njohja e ndërsjella e patentave dhe do të bëhet e mundur që në pikat e kontrollit kufitar do të vlejë vetëm dokumenti i njërës palë”.
“Serbia të zbresë me këmbë në tokë, të mos luajë rolin e viktimës”
Derisa masën prej 100 për qind të vendosur nga Kosova për Serbinë e quajti ftesë për Serbinë për të zbritur me këmbë në tokë dhe një kundërpërgjigje politike. Ai tha se ky vendim është irracional në kushte normale.
“I ftoj edhe vendet e rajonit të veproj si ne. Sjell në vëmendje edhe tarifën 100% nga Qeveria e Kosovës e cila nuk është një veprim ekonomik por reagim i qartë politik dhe ftesë për Serbinë për të zbritur me këmbë në tokë dhe se rruga drejt së ardhmes nuk mund të ndërtohet me thika pas shpine. Përpjekja e bërë për ta penguar Kosovën në Interpol është përpjekje e pajustifikueshme”.
“Ne do të shkojmë drejtë bashkimit doganor, që nga janari Kosova do ta ketë pikën e transitit në Durrës. Serbia shkon në të kundërt të asaj që është rruga e të ardhmes duke përjashtuar Kosovën nga rruga e roamingut duke na detyruar të bëjmë Kosova dhe Shqipëria bashkë”.
“Është e papranueshme që shqiptarët e Kosovës të mbesin peng të politikave të shteteve të bashkimit evropian. Ndërkohë që Serbia jo vetëm që ka vizat, por e arriti edhe pa e njohur Kosovën. Ne jemi të vegjël për të pasur forcën për të ndryshuar ca gjëra, mirëpo jemi gjallë dhe do të qojmë përpara proceset e shqiptarëve për shqiptarët”.
Lidhur me deklarimet e ministrit të Financave Arben Ahmetaj, dhe deklarata e tij për taksën 100%, ai tha se ministri ka thënë gjënë e duhur duke i quajtur të padrejta sulmet e gazetarëve për deklarata e tij.
“Kjo nuk është në kuadër të luftës tregtare por luftë kundër një shteti fqinjë që tjetër thotë e tjetër bënë. Ministri i financave dhe ekonomisë në Shqipëri ka thënë diçka krejt normale, nuk janë të mira tarifat ekonomike. Ministri nuk duhet të pendohet, duhet të pendoheni ju për sulmet e padrejta qe po i bëni”.
Rama tha se Serbia nuk duhet ta luaj rolin e viktimës sepse në këtë mes viktimë është vetëm Kosova. Ai ka thënë se Shqipëria është e interesuar për bashkëpunim me shtetin serb, por vetëm nëse ata sillen me një fytyrë, raporton EO.
“Shqipëria është e vendosur të ndërtoj partneritet me Serbinë mirëpo ajo nuk mund të vendos një fytyrë për Kosovën dhe një për Shqipërinë. Ata nuk mund të sjellin mallra me Kosova dhe Metohia sepse Kosova është vend i pavarur”.
“Nëse Kosova e ka kapërcyer të shkuarën dhe nëse serbët në Kosovë gëzojnë të drejtat, kjo nuk mund të jetë diçka qe merret si arsye që Serbia të bëjë viktimën para Kosovës. Të mos na tregojnë përralla miqtë evropian derisa vazhdojnë ta përkëdhelin Serbinë”.
Pas kësaj konference dy kryeministrat dhe kabinetet e tyre qeveritare do të shkojnë për homazhe në Prekaz.