Maqedonia do ketë një port për shkëmbime tregtare në Durrës. Deklarata u bë e ditur nga kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, i cili ka deklaruar se një gjë të tillë ia ka premtuar kryeministri shqiptar, Edi Rama, transmetojnë mediat e Shqipërisë.
Shqipëria do t’i japë Maqedonisë mundësinë për një port në Durrës, i cili do të shfrytëzohet nga kompanitë maqedonase për shkëmbim tregtar. Të paktën kështu shkruajnë mediat maqedonase, të cilat citojnë kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev. Ky i fundit ka deklaruar se një gjë të tillë ia kishte premtuar homologu shqiptar Edi Rama.
Deklarata e Zaev është bërë gjatë një aktiviteti të organizuar ditën e djeshme në Odën Ekonomike të Maqedonisë. Para sipërmarrësve maqedonas Zaev foli edhe për përfitimet e Maqedonisë nga marrëveshja me Greqinë dhe integrimin euro-atlantik.
“Ja për shembull, me kryeministrin e Shqipërisë kemi të garantuar se do të na japin një port në Durrës ku do të valojë flamuri maqedonas dhe do të jetë pikërisht në shërbim të odave tona dhe konkurrenca e tillë mund të ndikojë gjithsesi që të përmirësohen kushtet dhe shërbimet që portet i ofrojnë për kompanitë e Maqedonisë. Një nga çështjet që lidhemi kështu me Bullgarinë është që të kemi alternativën e tretë, përmes Detit të Zi dhe besoj se kjo do të ndikojë shumë në konkurrencën e çmimeve, ofrimin e kushteve më të mira për shfrytëzimin e porteve”.