Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se nisma “Ballkani i Hapur” nuk i bashkon qëndrimet e tij me ato të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ndonëse sipas tij, kjo nuk është pengesë për raportet bilaterale.
Rama deklaroi në konferencë për media të hënën, se ajo çka jetësohet në “Ballkanin e Hapur” duhet të jetësohet edhe në raport me Kosovën.
“E vërtetë që ‘Ballkani i Hapur’ nuk na bashkon, por nuk na ndan. Në këtë pikë, kemi këndvështrime të ndryshme, por këto këndvështrime nuk na pengojmë që në raporte bilaterale të vazhdojmë përpara. Porosia ime për Qeverinë time është që gjithçka që jetësojmë me ‘Ballkanin e Hapur’ ta jetësojmë edhe me Kosovën. Dhënia e të gjitha kompanive që kontribuojnë në volumin tregtar mes dy vendeve dhe s’kanë risk, e nuk janë të dyshuara, do të kenë një autorizim për të pasur një korridor në pikën doganore. Këtë e kemi në ‘Ballkanin e Hapur’ e duam edhe me Kosovën”, deklaroi Rama.
Ai theksoi se heqja e tarifave doganore nga Shqipëria do të nisë njëanshëm, pasi “Kosova ka kërkuar pak kohë për studim ekonomik”.
“Sipërmarrësit shqiptarë, për mua janë të Shqipërisë dhe të të gjithëve. Për mua është e rëndësishme që Shqipëria të jetë e gatshme t’i pranojë. Jam i lumtur për çdo investim që vjen te ne, por kemi nevojë për kampionët tanë. Unë takohem me bizneset e Kosovës. Kjo nuk është diçka që ka të bëjë me marrëdhëniet e Qeverisë së Kosovës”, tha Rama.
Ai u pyet edhe nëse e ka përmendur nw njw takim, siç wshtw raportuar, rrëzimin e Qeverisë Kurti, por Rama shtoi se kryeministri Kurti mund ta rrëzojë veten me një protestë.
“Qeverinë Kurti mund ta rrëzojë vetëm një protestë e Albinit. Për sa kohë që Albini nuk del vet në protestë, qeveris vet, nuk ka kush e rrëzon. S’ka lidhje kjo fare”, tha Rama.