Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, në një takim me gra dhe vajza në Durrës, deklaroi se “vettingu fitoi si rezultat i marrëveshjes që u bë për interesin e Shqipërisë, jo të Partisë Socialiste”.
“Falë vullnetit të Partisë Socialiste, arritëm një marrëveshje me bindjen se gjërat që rrezikoheshin nga mungesa e marrëveshjes ishin më të mëdha se gjërat që fitoheshin. Shqipëria do të hynte në një spirale aspak frymëzuese për njerëzit. Do të na vështirësohej rruga për t’u ulur në tryezën e negociatave të BE-së. Vettingu fitoi si rezultat i marrëveshjes që u bë për interesin e Shqipërisë, jo të PS-së. Hallall ministrat deri në 25 qershor me ato që fitoi Shqipëria nga kjo marrëveshje”, tha Rama.
Kryeminsitri shtoi se opozita “tani ka sytë dhe veshët brenda në qeveri, në mënyrë që në 26 qershor të pranojë rezultatin”.
“Ia dolëm me sukses një beteje shumë të vështirë, projektit më themelor dhe më të zvarritur për të bërë shtet, reformës në drejtësi. Opozita ka pasur frikë të jashtëzakonshme nga reforma në drejtësi. Në themel të kësaj reforme janë dy fuqi: fuqia e popullit dhe fuqia e miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë”, shtoi Rama