Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama dhe kryebashkiaku gjirokastrit, Flamur Golemi, kanë arritur marrëveshje për organizimin e ngjarjes kulturore “Ditët e Prishtinës në Gjirokastër”.
“Në kuadër të promovimit të eventeve kulturore, u dakorduam bashkë me kryebashkiakun e Gjirokastrës, z. Flamur Golemi që të organizojmë ‘Ditët e Prishtinës’ në Gjirokastër, për të forcuar më tutje sinergjinë mes dy qyteteve tona”, ka shkruar Rama në Facebook të hënën.
Ai njoftoi se është takuar edhe me ministren e Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë, Mirela Kumbaro-Furxhi, me të cilën tha se kanë shkëmbyer ide për të zhvilluar turizmin mes dy vendeve.
“Kënaqësi të takohem me miken time të mirë, Ministren e Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë, znj. Mirela Kumbaro Furxhi, me të cilën shkëmbyem ide të ndryshme për të zhvilluar e ndërlidhë më tutje turizmin në vendet tona, gjithmonë duke pasur parasysh mirëqenien e mjedisit”, ka shkruar Rama.