Rama pas disa javësh viziton Kosovën për të finalizuar marrëveshjen për Portin e Durrësit

Prishtinë | 02 Tet 2020 | 13:43 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në një konferencë të përbashkët për medie me kryeministrin Avdullah Hoti, ka bërë të ditur se pas disa javësh do të finalizohet marrëveshje për portin e Durrësit.

Rama ka thënë se pas disa javësh do vizitojë Kosovën, ku edhe do të nënshkruhet marrëveshja që Porti i Durrësit do t’i takojë Kosovës.

“Sot kemi nënshkruar disa marrëveshje konkrete dhe për pak javë do vizitojë Kosovën për të firmosur marrëveshjen që e kthen portin e Durrësit në pronësi të Kosovës”, tha Rama.

Rama ka thënë se për të dy shtetet integrimi në Bashkimin Evropian nuk ka alternativë.

Edi Rama, ka folur edhe për Mini-Schengenit ballkanik për të cilin ka thënë se është projekt transformues për rajonin.

“Schengeni rajonal është projekti i fëmijëve tanë. Është projekt që asnjë burrë në çfarëdo moshe qoftë s’mund ta marri peng dhe s’duhet ta vonojë duke shfrytëzuar mandat përfaqësimi nga populli ynë këtej e andej bjeshkëve. Schengeni rajonal është projekt i cili do të ndikojë drejtpërdrejt në një të ardhme shumë më të mirë për rininë tonë, fëmijët tanë e nipërit. Projekt transformues për mënyrën e të jetuarit në rajon e duhet të bëjmë çmos të shkëputemi nga e shkuara dhe është transformuese edhe për çështjen e njohjes së Kosovës nga Serbia që mund të bëhet vetëm përmes durimit e aftësisë për të fituar betejën diplomatike jo ushtarake. Kosova është vend evropian dhe kjo nuk zhbëhet”, ka deklaruar ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme