Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka marrë shembull Kosovën teksa ka replikuar për rritjen e çmimeve në Shqipëri.
Përmes një postimi në “Facebook”, Rama i ka replikuar një qytetari duke i thënë se rritja e çmimeve është një problem i përgjithshëm, teksa ka përmendur Kosovën si shembull.
Kjo pasi Rama u pyet pse po rriten çmimet kur Shqipëria është ndër vendet më të varfëri të rajonit.
“Rritja e çmimeve është një problem i përgjithshëm sot, mjafton të shihni Kosovën për të mos shkuar më larg, ndërkohë që siç kam premtuar ne po mbajmë më shumë kosto për buxhetin, mburojën mbi çmimin e energjisë për konsumatorët familjarë e biznesin e vogël, që kudo ka kërcyer e po kërcen lart. Sa për rrogat, ato janë rritur e do vazhdojnë të rriten, por rritja e rrogave nuk bëhet sipas dëshirës sonë, pasi unë i pari do doja t’i rrisja menjëherë të gjitha, por çdo rritje jashtë mundësive, do të thotë falimentim total në pak muaj si në kohën e Sudës, prandaj duhet punë e durim, për t’u ngjitur me këmbë në tokë s’ka asnjë rrugë tjetër të sigurt”, përgjigjet Rama.
Çmimet e produkteve ushqimore, naftës, benzinës dhe gazit kanë pësuar rritje drastike në Kosovë ditëve të fundit.