Komuna e Prishtinës qe 8 ditë ka mbetur pa udhëheqësin e saj, pasi që nga e hëna e javës se kaluar, kryetari Përparim Rama ka rezultuar pozitiv me Covid-19.
Gjendja shëndetësore e tij vazhdon të jetë e mirë dhe këtë virus po e kalon pa simptoma.
Në një deklaratë, ai ka thënë që në teste rapide që po i bën në shtëpi po rezulton negativ, megjithatë po qëndron i izoluar deri në një test tjetër PCR. Kryetari i Prishtinës ka thënë se është i vaksinuar me tri doza.
Ai ka thënë se nga shtëpia po bën shumë punë.
Pasi Rama doli pozitiv, i gjithë stafi i komunës u testua.
Së bashku me kryetarin, do të rikthehen edhe nënkryetari, Alban Zogaj dhe shefi i kabinetit të tij, të cilët po ashtu janë infektuar me këtë virus.
Në mungesë të emërimit të drejtorëve, gjatë kësaj kohe, komuna ka mbetur në dorën e ish-nënkryetarit të Komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi, i cili tashmë është emëruar këshilltar i kryetarit Rama.
Nushi thotë se kjo gjë nuk e ka paralizuar punën në komunë, pasi ajo është duke vazhduar normalisht.
Nushi ka folur edhe për rëndësinë e vaksinimit me dozën e tretë dhe mundësitë që i ofron Prishtina për këtë çështje.
Ndërkohë, administrata vazhdon punën si gjithnjë.
E sigurimi kujdeset që asnjë qytetar të mos hyjë pa maskë në komunë, pasi ky ka qenë edhe urdhri i parë që ka dhënë Rama sapo erdhi në krye të Prishtinës.