Ana Lulo prej dy muajsh nuk merr asnjë medikament për kurimin e sëmundjes nga e cila ajo vuan.
Gruaja 63 vjeçare nga Korça, e cila jeton me një pension invaliditeti prej 12 mijë lekësh në muaj, vuan nga artritit reumatoid juvenil dhe prej më shumë se 10 vjetësh i duhet ta mbajë nën kontroll sëmundjen me medikamente, të cilat janë shumë të shtrenjta për gjendjen e saj ekonomike.
“Fillimisht vija në Tiranë një herë në muaj për të marrë recetën dhe ilaçet. Për të fundit herë isha në mars dhe doktoresha na tha se do të na telefononin për ilaçet, pasi ishte krijuar një problem,” tregon Ana, duke shtuar se më vonë ka mësuar se ilaçet me të cilën ajo kurohet ishin hequr dy muaj më parë nga lista e barnave të rimbursueshme.
“Më thanë se po punohej për ta rregulluar ketë punë dhe se duhet të prisja. Për mua është e papërballueshme të mbuloj me pensionin tim këto ilaçe, ndërkohë që i kam të domosdoshme,” shtoi Ana, duke u ankuar se i ka kockat e ënjtura e nuk lëviz dot nga krevati.
Ana Lulo nuk është e vetme. Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë që Shqipëri ka rreth 300 pacientë që vuajnë nga artriti reumatoid juvenil dhe psoriasis, një pjesë e të cilëve nuk kanë arritur t’i sigurojnë barnat nëpërmjet skemës së sigurimeve gjatë dy muajve të fundit.
Pacientë dhe farmacistë i thanë BIRN se mungesa e barnave ka ardhur si pasojë e udhëzimeve të paqarta nga FSDKSH, i cili fillimisht i ka hequr këto medikamente nga lista e barnave dhe më pas i ka rikthyer ato me 31 maj.
I pyetur nga BIRN Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, mohoi të këtë pasur probleme me skemën e rimburismit të medikamenteve për pacientët me artrit reumatid dhe psoriasis.
“Asnjë pacient nuk ka ndërprerë mjekimin dhe barnat janë të përfshirë në listën e barnave të rimbursueshme,” tha Fondi në një përgjigje me shkrim.
Barna të shtrenjtë
Artriti juvenil nuk është një sëmundje në vetvete, por më shumë një term ombrellë i përdorur për të përshkruar një seri problemesh autoimune dhe inflamatore që shfaqen para moshës 16 vjeç. Pas moshës 18 vjeç këto pacientë trajtohen nga remautologu. Psoriasis është një sëmundje autoimune lëkure që karakterizohet nga krijimi i elementeve inflamatore dhe shkaktohet nga nxitja hiperbolike e rrugës qelizore të sistemit imun.
Të dyja këto sëmundje janë kronike dhe trajtimi i tyre me barna është i shtrenjtë dhe mund të kushtojë më shumë së 100 mijë lek në muaj – jashtë mundësive financiare të shumë pacientëve shqiptarë. BIRN intervistoi mbi 10 pacientë që vuajnë në këto sëmundje të cilët u shprehën se nuk kanë pasur mundësi t’i sigurojnë këto barna nëpërmjet skemës së rimbursimit gjatë 2 muajve të fundit.
Disa prej tyre si Liljana Stafa, thanë se në pamundësi për të siguruar medikamentet e duhura, mjeku ja ka zëvendësuar me opsione më të lira, çfarë kë sjellë dhe përkeqësimin e gjendjes së saj shëndetësore.
“Medikamenti që unë duhet të merrja më thanë që nuk ekziston. Ma zëvendësuan me një shumë të lirë, por që nuk është aspak i duhuri për mua,” tregon ajo, duke shtuar se është e papunë dhe jeton me qira në Tiranë.
“Duke qenë se sëmundja ime është e avancuar unë duhet të marr 4 ampula, kostoja e së cilave është 1 milionë e 38 mijë lekë,” shpjegoi ajo.
Sipas farmacistëve, një pacient me artrit duhet të marrë dy shiringa në muaj të një medikamenti që ishte në listën e rimbursimit me një kosto rreth 80 mijë lekë dhe që rimbursohet nga Fondi. Në mungesë të rimbursimeve në dy muajt e fundit, një pacienti i është dashur të shpenzojë 160 mijë lekë në muaj për të mbuluar kostot e kurës.
Probleme me listën?
Më 4 maj 2018 drejtori i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, z. Eduard Ahmeti urdhëroi hyrjen në fuqi të listës së re të barnave të rimbursueshme. Në listën e vitit 2018 janë përfshirë 36 barna te reja për diagnoza si insufiçence kardiake, kancer, hepatit C, demencë/alzheimer, diabet.
Pacientët e me sëmundje artrite i marrin barnat e rimbursueshme kryesisht ne farmacitë në QSUT, pasi kryejnë konsultat me mjekët një herë në muaj. Por të dhjetë pacientët që BIRN intervistoi, shpjeguan se në muajin mars i është thënë nga farmacistët se ishin të pasigurt nëse medikmentet e tyre do të përfshiheshin në listën e re të rimbursmit dhe për këtë arsye i kanë lënë në pritje, duke i kërkuar t’i lënë numrin e telefonit për t’i njoftuar në momentin që ngërçi me listën do të sqarohej.
Një paciente nga Kuksi, e cila vuan nga artriti remautoid por refuzoi të identifikohej me emër, i tha BIRN se prej një viti kurohej me medikamentin etanercept, por prej dy muajsh nuk kishte arritur ta siguronte.
“Kur isha në Tiranë më 21 mars për të marrë mjekimin e radhës më thanë të prisja pasi kishte një problem me ilaçet,” tha gruaja pensioniste.“Doktoresha që më trajton më tha që të lija numrin se do të më telefononin sapo të ishte zgjidhur ky problem. Ende nuk më kanë marrë dhe unë jam në një gjendje te rënduar. Nuk kam asnjë mundësi të blej ilaçet vetë se janë shumë të shtrenjta,” shtoi ajo.
Një farmaciste në Tiranë që ka kontratë me Fondin, mban një listë të gjatë të pacientëve që marrin medikamente për kurimin e reumatoidit juvenil dhe psoriasis. Në krah të emrave është dhe numri i telefonit, pasi ju ka premtuar klientëve të saj që sapo çështja e medikamenteve të zgjidhjet do t’i telefonojë për të rifilluar trajtimin.
Farmacistja që refuzoi të identifikohej me emër, tregoi se në fillim të muajit maj u njoftua se medikamente si Ofacitinib 5 mg, Etanercept 25 mg, Etanercept 50 mg, Infliximab 100 mg dhe Adalimumab 40 mg nuk ishin në listën e rimbursimit nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore.
“Na u tha se kishte ndodhur një keqkuptim dhe se së shpejti çdo gjë do të rregullohej,” tha farmacistja.“E në fakt prej datës 31 maj të gjithë këto medikamente janë në skemën e rimbursimit,” përfundoi ajo.