Kreu i qeverisë Edi Rama i drejtoi një kërkesë këtë të enjte kreut të Kuvendit Ilir Meta. Nëse do të bien dakord të gjithë deputetët, Rama kërkoi që Gurdia di Fiananza ta bëjë në sallën e Parlamentit prezantimin e raportit për situatën e kanabisit në Shqipëri.
Ky propozim erdhi pas akuzave të ngritura nga deputeti demokrat Sali Berisha se qeveria është e lidhur me veprimtarinë e paligjshme të kultivimit dhe trafikimit të drogës.
“I bëre thirrje policisë italiane të sjellë këtu informacionin. Duro Sali, Guardia di Finanza i ka kryer të gjitha operacionet e vëzhgimit dhe do të raportojë publikisht. Nëse kreu i kuvendit merr iniciativën me mbështetjen e të gjithëve ne, këtu në këtë sallë të shfaqim raportin vizual të Guardia di Finanzës. Dhe besoj midis fotokopjeve që flasin këtu në emrin tënd (ka mundësi ti qetësosh Sali se ty nuk të ndërpreu njeri) ai raport është pikë referimi për objektivitetin mbi situatën”, tha Rama.
Express mësoi dje se Guardia di Finanza ka kryer vëzhgimet në terren, mbi raportet e policive në qarqe për aksionet antikanabis. Nga fluturimet e kryera për herë të dytë në pikat ku Guardia di Finanza kishte konstatuar kanabis, rezultoi se nuk kishte më kanabis të kultivuar.