Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot një takim me ambasadorët e Shqipërisë në botë në ambientet e ministrisë së Jashtme, ku në fokus ka qenë diplomacia ekonomike.
Kryeministri Rama në fjalën e tij tha se “kam kërkuar këtë takim të posaçëm pasi dua të shtjelloj një temë me rëndësi të veçantë dhe të lënë pas dore gjatë periudhës së tranzicionit, siç është roli i shërbimit të jashtëm në ekonomi”.
“Sot mund të bëj vetëm çeljen e një vazhde të domosdoshme diskutimesh. Pa dyshim, përgjegjësia e shërbimit të jashtëm bie mbi shumë faktorë dhe shumë aktorë. Do të duhet të bëhet një analizë serioze. Ekonomia e vendi është një fushë që ministria e Jashtme nuk mund ta konsiderojë jashtë sferës”, tha Rama.
Më tej, Rama shtoi se “Diplomacia jonë do të bëjë atë pjesë të punës së saj qe të mbrojë interesat kombëtare, por kjo nuk mjafton, sepse nuk mund ta kuptojmë dot shërbimin e jashtëm në gjendjen si me të shkuarën e regjimit. Na duhet kreativitet dhe pragmatizëm që për një mijë dhe një arsye. Juve ju thërrasin shkëlqesi dhe është nder të ngjiteni në këtë lartësi. Po ju a jeni në lartësinë e duhur, sepse ju duhet të shkëlqeni në atë që bëni në shërbim të vendit”.
“Menjëherë pas shpalljes së mandatit të qeverisë së re do t’i kërkoj ministrit të ri një takim treditor për rolin që duhet të marrë diplomacia për vendin”, tha Rama.
Rama theksoi se “Qeveria do të këtë edhe një ministër Shteti për shqiptarët jashtë atdheut, sepse marrëdhënia e shqiptarëve në rajon kërkon një vëmendje më të madhe. Po ashtu dhe bota e shqiptarëve jashtë atdheut ka marrë përmasa të reja”.