“Me Serbinë ka shumë më tepër gjëra që na bashkojnë se gjëra që na ndajnë, edhe pse kjo dukej e pamundur deri vetëm pak kohë më parë, në momentin kur unë u bëra kryeministër përpara pak vitesh. Një prej gjërave që kemi të përbashkët është besimi në vlerat e BE-së dhe dëshira për të qenë pjesë e saj”, ka deklaruar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, të premten në Paris, në Forumin e Global Positive i organizuar nën kujdesin e presidentit francez, Emmanuel Macron.
“Ky vit ishte një vit zgjedhjesh, si në vendin tim ashtu dhe në tuajin. Tek ne, partia ime dhe unë fituam, në tuajin ishte bota që fitoi. Sa ndryshe do të ishin ndjerë miliona njerëz nëpër botë nëse kjo tokë e madhe e lirisë, vëllazërisë dhe barazisë do t’ia dorëzonte politikën të djathtës ekstreme? Por kështu populli francez na dha shpresë, ndërsa presidentit tuaj i dha përgjegjësinë e madhe që të drejtojë vendin në këto kohë të vështira, ashtu sikurse shqiptarët më dhanë të njëjtën përgjegjësi mua”, tha në fillim të fjalës së tij kryeministri Rama, shkruan sot Koha Ditore.
Në vijim, Rama theksoi se jetojmë në një botë që përballet me probleme dhe sfida, por e drejta për të udhëhequr është ndër privilegjet më të mëdha që populli mund t’i japë dikujt.