Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë është shprehur se shkëmbimet tregtare mes dy vendeve janë rritur.
Gjatë këtij fjalimi ai gjithashtu ka prezantuar projektin e portit Porto Romano që lidhet me Prishtinën.
Rama deklaroi se 1225 biznese kosovare aktualisht operojnë në Shqipëri, e 1081 prej tyre janë në pronësi të plotë të kosovarëve.
Ai theksoi të hënën se investimet e Kosovës në Shqipëri në vitin 2017 ishin 9 milionë, e në 2021-n 139 milionë. Sipas tij, kjo shifër është domethënëse, e mundësitë për rritjen e investimeve janë të dukshme.
“Besoj se kemi mundësinë të rrisim dhe shtojmë volumin e investimeve reciprokisht. Ndërkohë dua t’ua kujtoj ministrave të brendshëm që kemi një protokoll të nënshkruar në Morinë që shërben si udhëzues për kalimin praktik të kufirit. Besoj se kryeministri është dakord që në këtë sezon është e palejueshme të kemi probleme të natyrës që kemi pasur deri vjet Radhë të pafundme për shkak të kontrolleve një për një të makinave që vijnë drejt Shqiperisë”, tha Rama.
Kreu i Shqipërisë potencoi se projekti për abetaren e përbashkët e ka përfunduar fazën e parë.
“Puna për fazë të dytë vazhdon. Jam i lumtur që me Albinin të dorëzojmë abetaret e unifikuara, ndërkohë që kemi folur me përfaqësuesit e popullsisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut, me kryeministrit e Malit të Z, edhe me ata në Serbi, që kjo abetare të shkojë te të gjithë shqiptarë. Po edhe në zonën e diasporës, që të ketë një shpërndarje të abetares kudo që kërkohet”, tha Rama.