Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka shprehur ngushëllime për burrin që vdiq nga lisi i rrëzuar prej stuhisë, ndërsa qytetarëve të tjerë u ka kërkuar të kenë kujdes.
Një burrë rreth 30 vjeç ka mbetur i vdekur pasi u zu përfundi një lisi që ra nga erërat e forta në Pejton.
Kryetari Rama shkroi në Facebook se mori lajmin “me shumë keqardhje” dhe i shpreh ngushëllime familjes së viktimës.
Qytetarëve të tjerë të kryeqytetit, Rama u ka kërkuar që të kenë kujdes të shtuar në vendet ku llogaritet të ketë rrezik.
“…u bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të kenë kujdes të shtuar nga rreziqet potenciale që mund të shkaktohen nga moti i keq i paralajmëruar për ditët në vijim”, shkroi kryetari i Prishtinës në Facebook.
Në këtë pjesë të qytetit, një lis i madh që kishte rënë në rrugë zuri përfundi një burrë e një grua të moshës rreth 30-vjec.
Sipas informatave që në Policinë e Kosovës ia kanë dhënë Gazetës Express, burri ka vdekur, ndërsa vajza gjendet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, për trajtim.
“Rreth orës 15:15 është pranuar informata se një lis është rrezuar dhe ka zënë dy persona. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informatat e para janë ngritur dyshimet se njëri nga të lënduarit mashkull, rreth 30 vjeç ka humbur jetën përderisa e lënduara tjetër femër poashtu rreth 30 vjeç është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor”, kanë thënë nga Policia e Kosovës.