Zëvendësministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Burim Ramadani, ka bërë me dije se transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura është proces i pakthyeshëm dhe i sigurt.
Në një intervistë për gazetën ‘Epoka e Re’, ai ka vlerësuar se ky proces garanton sigurinë e të gjithë qytetarëve të Kosovës, të të gjitha komuniteteve, si dhe kontribuon në sigurinë rajonale.
Ramadani ka mohuar çdo mundësi që çështja e formimit të ushtrisë të bëhet pjesë e procesit të dialogut Kosovë-Serbi.
Sipas tij, ky proces është në rrugën e mirë dhe nuk ndërlidhet me asnjë proces tjetër.
Ramadani ka folur edhe për qeverisjen Haradinaj. Ai ka thënë se kjo Qeveri është më dinamikja që ka pasur ndonjëherë Kosova.