Tenori nga Kosova Ramë Lahaj, i është kthyer skenës operistike pas një vit pushimi për shkak të pandemisë.
Lahaj ka performuar në Sydney të Australisë me operën “La Traviata”.
Ai në një intervistë në Programin e Mëngjesit në Klan Kosova tha se i ka munguar skena.
Tenori me famë botërore theksoi se “Viti i pandemisë”, ka qenë i zbrazët për të.
“2020-shi ka qenë njëjtë për të gjithë ne. Në fakt në këtë periudhë unë kam qenë në Sydney, ka qenë ky projekt i planifikuar për periudhën mars-prill, po tani ndodhi pandemia dhe u anulua gjithçka dhe unë u ktheva në Evropë”.
“Po e quaj veten me fat, sepse të gjithë teatrot në Evropë janë të mbyllur. Sydney qëndron shumë mirë. Ka pesë apo gjashtë muaj që Sydney nuk e ka pasur as edhe një rast me COVID. Projekt “La Traviata” që ka pas të ndodh në vitin 2020 është spostuar në vitin 2021″.
“Ka qenë një vit i zbrazët. Sepe mund të them që kur nuk ka art dhe kulturë shoqërisë i mungon një pjesë e madhe dhe shumë e rëndësishme”.
Ramë Lahaj tregoi edhe për përshtypjen e tij për vendin i cili nuk ka pasur asnjë rast me COVID-19 që më tepër se pesë muaj.
“Është vërtetë kënaqësi sepse siç e thashë më herët nuk e kanë ndjenjën e pandemisë. Unë kur erdha në ditën e parë në prova e pashë se këta e kishin shprehi për t’u përshëndet duke u përqafuar, kurse unë ende e kisha atë traumën e distancës nga Evropa”.
“Ju edhe mund ta shihni që edhe audienca nuk mban maska dhe as ne. Ndihem vërtetë i privilegjuar. Sepse është kjo opera është një ëndërr për secilin artist. Këtu organizohen edhe produksione të tjera”.
“Në fakt në Australi është hera e dytë që përformoj. Hera e parë ka qenë në vitin 2015, pra jemi gjashtë vjet pas. Shpresoj që ky të jetë viti i fundit pandemik.Është zbrazëti e madhe nëse për 1 vit i largohesh skenës. Është një shprehi që për 10 vjet më shumë se 300 ditë të vitit i kaloj në teatër dhe në udhëtime. Është hera e parë që pas një kohe të gjatë unë e kam shfrytëzuar këtë kohë që të pushoj nga stresi që e ka profesioni pashmangshëm”.
Ai foli edhe për projektet e tij të realizuara dhe për projektet që pritet t’i realizojë në vazhdim.
Ndiqeni intervistën me Ramë Lahajn.