Njohësi i çështjeve të sigurisë, Fuad Ramiqi, në Ballë për Ballë të Klan Kosovës ka thënë se Kosova ka kapacitet për të mbrojtur integritetin dhe sovranitetin e saj.
Ai ka komentuar aksionin e Policisë së Kosovës në veri të vendit, në rastin e trenit me simbole nacionaliste serbe, duke e vlerësuar me nota të larta, ndërsa ka theksuar se kasta politike në vend duhet ta ketë të qartë se serbët e asaj pjese nuk duan integrim, njofton Klan Kosova.
“Sa i përket rastit të trenit, mendoj që situata është menaxhuar mirë. Ka pasur një paqartësi në urdhërdhënie, megjithatë. Unë mendoj që KFOR-i ka dhënë urdhër që forcat policore të shkojnë në veri të vendit, duke mos dashur që vet ta bëjë atë punë. Nuk besoj që ka pasur vendim politik, në rangun e institucioneve të vendit”.
“Duke pasur parasysh që Kosova po merret me këtë çështje që nga paslufta, çështja e veriut të vendit ende çuditërisht ka mbetur e pazgjidhur. Institucionet e vendit nuk kanë pasur vullnet për ta zgjidhur këtë çështje. Kështu atje kanë vepruar formacione mirë të përgatitura në aspektin ushtarak dhe policor. Atje ka një koncentrim të madh të forcave, ndoshta më të madh se në Serbi. Shteti fqinj gjithmonë ka tentuar ta legalizojë Serbinë e Madhe, me metoda demokratike, gjysmëdemokratike, a çfarëdo qofshin ato. Klasa politike në Kosovë nuk e ka kuptuar që serbët në veri nuk e pranojnë sovranitetin e vendit. Për më shumë nuk ka treguar kurrë vullnet që të veprojë për ta ushtruar sovranitetin. Duhet të vijë një moment kur qoftë policia, qoftë KFOR-i ta bëjë këtë gjë, që të mos kemi probleme si ai i trenit me simbole nacionaliste serbe. Serbët bëjnë presion që veriu të fitojë një status special, rrjedhimisht do të krijohet një Republika Srpska brenda Kosovës”.
Ramiqi ka kërkuar që shteti të tregojë forcën e tij në atë pjesë, edhe përmes efektivëve të policisë, pasi rrugët diplomatike për ta vënë nën kontroll atë pjesë janë mbyllur.
“Kosova i ka shterur të gjitha mundësitë në aspektin diplomatik për ta vënë nën kontroll veriun e vendit. Mendoj që këtë e dinë edhe ndërkombëtarët. Policia e Kosovës ka kapacitete për ta kontrolluar situatën, ndaj mendoj që duhet dalëngadalë t’i jepen autorizime. Por duhet të bëhet ndërrim i stafit të policisë në veri, sepse në rast të një konflikti, serbët atje do ta zhveshin uniformën dhe të dalin në anën e Serbisë”.
Sa i përket shtimit të forcave serbe në Luginën e Preshevës dhe në kufirin verior, ai ka thënë se kjo mund të jetë nisja e një aksioni ushtarak serb për të marrë nën kontroll pjesën veriore të Kosovës.
“Vendosja e forcave të mëdha në Luginën e Preshevës mund të jetë tregues se mund të ketë një veprim në veri të vendit. Qoftë duke bllokuar atë pjesë, qoftë duke bërë diversion atje, për të ndërhyrë në veri”.
Më tutje Ramiqi ka theksuar se vështirë se mund të kemi ushtri përderisa KFOR-i është aktiv në Kosovë, ndërsa është shprehur i pakënaqur edhe me emërtimin e mundshëm të saj, duke kërkuar që të quhet Ushtri, jo Forcë e Armatosur.
“Dy ushtri nuk mund të funksionojnë në një vend. Sa të jetë KFOR-i në Kosovë, vështirë se mund të kemi transformim të FSK-së në FAK. Unë jam kundër emërtimit Forcat e Armatosura të Kosovës. Kosova duhet ta ketë ushtrinë e vet; të quhet Ushtria e Republikës së Kosovës. Mendoj që po tentohet të manipulohet opinioni kinse FSK po transformohet në FAK. Ndërsa sa i përket numrit të efektivëve, mendoj se duhet të jenë rreth 15 mijë aktiv”.