Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ramiz Kelmendi para pak minutash ka njoftuar se nga sot do të jetë pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Ai këtë njoftime ka bërë në Facebook, ku ka plasuar një foto me kryetarin e Pejës, Gazmend Muhaxheri dhe një pjesë të stafit të tij.
Kelmendi krahas fotos ka shkruar: “Një foto me kryetarin e Pejës dhe stafin e tij, njëkohësisht ju informoj që nga sot do jem pjesë aktive e LDK-së”.
Kelmendi i cili është njëri nga biznesmenët më të njohur në Kosova, politikës i hyri përmes AAK-së, pastaj për shkak të pakënaqësive kaloi në PDK, por edhe me PDK ishte i pakënaqur dhe u largua nga kjo parti, ku për një kohë qëndroi si deputet i pavarur, ndërsa tani i është bashkangjitur LDK-së.
Pakënaqësia e Kelmendit me PDK-në kishte të bënte me premtim që PDK i kishte dhënë që Kelmendi të merrte një post të rëndësishëm në Qeverinë e Kosovës, të cilin post PDK nuk ia ofroi, ndërsa pritet që me kalimin në LDK ai të emërohet zëvendëskryeministër i Qeverisë.