Profesori i ekonomisë në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, Berim Ramosaj, në një intervistë për Telegrafin ka folur për rritjen e pagave nga Qeveria e Kosovës e cila udhëhiqet nga Ramush Haradinaj.
Rritja e pagave në masën që është bërë, sipas tij, duhet të jetë mirë e planifikuar. Madje sipas tij, në shtetet të cilat kanë një disiplinë financiare rritjet e tilla bëhet me planifikime afatgjate.
“Vendimi për rritjen e pagave në masën që është bërë nga Qeveria e Kosovës, nëse dëshirohet të respektohet disiplina financiare do të duhej të planifikohet së paku një vit më herët. Një vendim i tillë do të ketë ndikime buxhetore të cilat do të reflektojnë edhe në projekte të caktuara. Pezullimi i ndonjë projekti në emër të rritjes së pagave, është një sinjal i keq për Kosovën”, tha ai.
Ramosaj ka thënë se rritja e pagave mund të krijojë pakënaqësi sociale në vend.
“Kjo rritje mund të krijojë pakënaqësi te kategoritë e tjera, dallimet në të ardhura në mes të bartësve të institucioneve me të ardhurat mesatare qoftë në sektorin publik apo privat, jam një sinjal për pabarazi në kuptimin e raporteve ndërmjet qytetarëve në një shtet”, tha ai.
Përveç pakënaqësive të qytetarëve dhe sindikatave në vend vendimi i Qeverisë për t’i rritur pagat për kabinetin qeveritar dhe këshilltarët e tyre do të kenë ndikime edhe në raportet mes Qeverisë së Kosovës dhe FMN-së, shkruan Telegrafi.
“Për ndryshime të tilla në shpenzime, Qeveria e Kosovës nuk do ta ketë mbështetjen e Fondit Monetarë Ndërkombëtar, e as të institucioneve të tjera relevante ndërkombëtare, të cilat janë edhe monitorues të shpenzimeve”, tha Berim Ramosaj, profesor i ekonomisë.
Ai thotë se ministri i Financave duhet të mos e nënshkruaj rritjen e pagave edhe pse siç thotë ai “nuk ka dal nga ekipi për të ndryshuar vendimin e Qeverisë.
“Deri tash ministri i Financave,sa do që ka pasur deklarime nuk ka dal nga ekipi në kuptimin e realizimit të këtij vendimi. Nuk besoj që ai e ka guximin politik e intelektual të ndryshojë një vendim të cilin e merr Qeveria. Por nëse ministri i Financave apo ndonjë individë tjetër, mendon ndryshe në raport me vendimet që merr Qeveria atëherë është shumë më njerëzore dhe politikisht e arsyeshme të largohet”, ka thënë Ramosaj.