Ramush Haradinaj kërkon debat në Kuvend për punën e gazsjellësit

Prishtinë | 08 Tet 2021 | 14:10 | Nga Ekonomia Online

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se bashkë me grupin parlamentar të partisë së tij kanë dorëzuar kërkesën në Kuvend për debat parlamentar lidhur me çështjen e gazsjellësit.

Haradinaj në një reagim në ‘facebook’ ka thënë se në këtë seancë do të diskutohet hapur dhe me argumente, meqë thotë se çështja e gazit është e rëndësishme për partneritetin e Kosovës me SHBA’në.

 “Çështja e gazit amerikan nuk mund as të mjegullohet e as të spostohet me të pavërteta”, ka shkruar Haradinaj.

Reagimi i plotë”

Të pavërtetat për gazin amerikan

Është për keqardhje se si po provohet të devijohet çështja e gazsjellësit amerikan, duke u thënë të pavërteta për të. Pohimet se Fondi prej 200 milionë dollarësh i MCC nuk ka qenë i specifikuar për gazin dhe diversifikimin e energjisë, është krejtësisht i pavërtetë.

Ka pothuajse tri vjet ç’prej se ka filluar ky projekt dhe janë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e realizimit të tij. Janë bërë dy studime fizibiliteti që janë financuar me miliona dollarë të taksapaguesve amerikanë.

Pikërisht tani kur jemi në fazën e finalizimit të këtij projekti dhe në prag të skadimit të afatit për aprovim të vendosur nga MCC dhe SHBA, Qeveria e Kosovës ka vendosur pezullimin e tij, madje duke e cilësuar gazsjellësin amerikan si gaz rus.

Prandaj unë sot, i mbështetur nga Grupi Parlamentar i AAK-së, i kam dorëzuar Kuvendit një kërkesë për debat parlamentar, për të diskutuar hapur e me argumenta për këtë çështje tejet të rëndësishme për Kosovën dhe partneritetin me SHBA.

Çështja e gazit amerikan nuk mund as të mjegullohet e as të spostohet me të pavërteta.

Të ngjashme