Raporti i KPM – Shkeljet tek mediat në kohën e fushatës së zgjedhjeve të fundit

Prishtinë | 03 Shk 2026 | 16:55 | Nga Ekonomia Online

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) ka përmbyllur monitorimin e ofruesve të shërbimeve mediale audiovizuale (OSHMA) gjatë fushatës për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Kosovës- 2025.

Gjatë fushatës, KPM monitoroi pajtueshmërinë e mediave dhe evidentoi shkeljet e mundshme, por për shkak të mungesës së kuorumit, nuk u morën vendime për shkeljet e konstatuara.

Sipas raportit përmbledhës, KPM gjeti se shumica e mediave ofruan hapësirë kryesisht për aktivitetet e LVV, PDK, LDK dhe AAK.

Ndërsa, subjekte të tjera nuk kanë pasur mundësi të njëjtë për hapësirë pa pagesë. Përderisa në procesin zgjedhor morën pjesë 24 subjekte politike të certifikuara, përfshirë 19 parti, 2 koalicione, 2 iniciativa qytetare dhe 1 kandidat të pavarur.

Sipas KPM-së, shkeljet më të zakonshme janë: mosidentifikimi i duhur i reklamimit politik; përdorimi i fëmijëve në spote politike; sponsorim i emisioneve politike; reklamim me ekran të ndarë dhe vendosje produktesh në emisione të çështjeve aktuale dhe mosrespektimi i periudhës së heshtjes zgjedhore.

KPM thekson se mbetet i përkushtuar për transparencë, paanshmëri dhe trajtim të barabartë mediatik për të gjitha subjektet politike gjatë çdo procesi zgjedhor.

Raporti i plotë i monitorimit të mediave gjatë fushatës së Zgjedhjeve të Parakohshme 2025 mund ta lexoni në këtë LINK 

Zgjedhjet e parakohshme nacionale janë mbajtur më 28.12.2025. Ndërsa fushata zgjedhore zgjati nga 17 deri më 28 dhjetor, ora 07:00. Komisioni Qendror Zgjedhor i ka shpallur rezultateve përfundimtare më 31.01.2026, pasi u rinumëruan të gjitha kutiat e votimit pas dyshimeve me manipulim votash. Aktualisht është faza e shqyrtimit të ankesave nga subjektet dhe kandidatët.

Të ngjashme