Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF përmes një komunikate thekson se Raporti i Progresit për Kosovën nga Bashkimi Evropian, përveç korrupsionit dhe papunësisë në vend, ka ngritur edhe një tjetër çështje, atë që ka të bëjë me të drejtat e fëmijëve.
Sipas KOMF-it, Raporti i Progresit vë në pah që korniza ligjore është në harmoni me kërkesat ndërkombëtare, por zbatimi i legjislacionit, i cili ka të bëjë me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve mbetet sfidë.
Ky raport sipas KOMF-it, thekson nevojën që autoritetet të sigurojnë një buxhet adekuat për Projektligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve në mënyrë që të këtë zbatim efektiv pas miratimit.
Ndërsa sa i përket mbrojtjes së fëmijëve viktima të dhunës dhe trafikimit, raporti rekomandon që Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale të sigurojë financim adekuat për strehimoret që strehojnë fëmijë viktima të dhunës dhe trafikimit.
Po ashtu, Raporti thekson se Kosova duhet të sigurojë që komunat të kenë burime të mjaftueshme për të ofruar shërbime sociale brenda përgjegjësive të tyre si dhe rekomandon krijimin e grantit specifik për shërbime sociale në kuadër të Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal.
“Rekomandimet e Raportit të Progresit përkojnë plotësisht me rekomandimet e adresuara në vazhdimësi nga KOMF. KOMF vazhdon të qëndrojë prapa rekomandimeve të ofruara në mënyrë të vazhdueshme për institucionet e vendit si dhe kontributit të dhënë në Raportin e Progresit”, thuhet në reagimin e KOMF-it.