Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit ka mbajtur mbledhjen e radhës ku u diskutuan dhe u morën vendime të rëndësishme për procesin e privatizimit dhe përmbylljen e likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore në vend.
Gjatë kësaj mbledhje, Bordi i Drejtorëve miratoi Raportin Vjetor, i cili do t’i dorëzohet Kuvendit të Kosovës brenda afateve të parashikuara me ligj, dhe i cili shënon të arriturat dhe progresin në ngritje të Agjencisë për vitin raportues.
Sa i përket ndërmarrjes “Trepça”, Bordi diskutoi lidhur me ecurinë e draftimit të raportit nga kontraktori për studim të fizibilitetit të “Trepçës”, i cili pritet të finalizohet gjatë muajit prill 2017, dhe i cili do të sqarojë një sërë çështjesh si dhe do t’i hapë rrugë tranzicionit të kësaj ndërmarrjeje me interes vital dhe strategjik për Kosovën, sipas ligjit në fuqi.
Bordi po ashtu miratoi transaksionet nga shitja e aseteve në likuidim nr. 29, për të cilat Agjencia do t’i njoftojë zyrtarisht të gjithë ofertuesit me çmimet më të larta të ofruara me vendimet e Bordit për secilin aset të tenderuar. Kjo valë e shitjeve u zhvillua me sukses muajin e shkuar dhe përfshinte në tenderim asete të ndërmarrjeve shoqërore në gjithë territorin e Republikës së Kosovës sipas planit të punës, që si qëllim ka dinamizmin e procesit të shitjes dhe likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore.
Bordi i Drejtorëve u informua nga menaxhmenti me zhvillimet e fundit në ndërmarrjen shoqërore “Pallati i Rinisë dhe Sporteve”, nën administrimin e AKP-së dhe diskutoi për aktivitetet që po ndërmerren me qëllim të rritjes së efikasitetit në operimet e kësaj ndërmarrjeje.
Ndër të tjera, Bordi diskutoi disa qiradhënie të aseteve të Ndërmarrjeve Shoqërore, si dhe shqyrtoi dhe diskutoi çështje të tjera që lidhen me veprimtarinë e përditshme të Agjencisë.