Raporti vjetor i NATO-s: Prania e aleancës në Kosovë, kyçe për Ballkanin

Prishtinë | 14 Mar 2024 | 14:24 | Nga Ekonomia Online

Prania ushtarake e Aleancës Veri-atlantike (NATO) në Kosovë është e domosdoshme për ruajtjen e paqes dhe stabilitetin në tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor, thuhet në raportin vjetorit të NATO-s, të cilin e paraqiti të enjten në Bruksel sekretari i përgjithshëm i aleancës, Jens Stoltenberg.

Në raport theksohet se për vite të tëra misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, e ka ruajtur një ambient të sigurt dhe lëvizje të lirë për të gjitha komunitetet në Kosovë, në bashkëpunim me organizatat tjera ndërkombëtare si, Bashkimin Evropian, Kombet e Bashkuara dhe të tjerat.

“Në vitin 2023 KFOR-i luajti rolin kyç për të siguruar stabilitet në Kosovë pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës. Pas shpërthimit të dhunës në muajin maj dhe shtator, aleatët dislokuan rreth 1.000 forca rezervë për misionin, që paraqet rritjen më të madhe në një decenieje. Kjo ia ka mundësuar KFOR-it ta trefishojë numrin e patrullimeve dhe ta katërfishojë praninë në veri të Kosovës“, thuhet në raport, përcjellë Radio Evropa e Lirë.

Tensionet në veri të Kosovës filluan të rriten në fund të majit 2023, pasi kryetarët e rinj të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, të shoqëruar nga Policia e Kosovës, hynë në ndërtesat komunale.

Banorët serbë e kundërshtuan këtë dhe organizuan protesta që kulmuan në dhunë më 29 maj në Zveçan, ku u plagosën dhjetëra demonstrues dhe ushtarë të KFOR-it.

Ato u përshkallëzuan disa muaj më vonë, më 24 shtator, kur Policia e Kosovës u sulmua nga një grup serbësh të armatosur në Banjskë të Zveçanit në veri të vendit, ku mbeti i vrarë një polic dhe tre sulmues.

Si rrjedhojë, NATO-ja e shtoi numrin e ushtarëve të saj në misionin paqeruajtës, KFOR, në Kosovë.

Të ngjashme