Raportimi i Durmishit s’i intereson AAK-së – zv.ministri thotë se laboratorët s’janë të besueshëm, mostrat dërgohen jashtë shtetit

Prishtinë | 01 Mar 2022 | 12:13 | Nga Lindita Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka shqyrtuar Raportin e auditimit të performancës “Vlera për para në ndërtimin e rrugëve lokale dhe rajonale”, raporton Ekonomia Online.

Gjatë raportimit të zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi ka bojkotuar mbledhjen, me arsyetimin se në raportim do të duhej të ishte ministri Liburn Aliu dhe jo zëvendësi i tij.

Megjithatë, Komisioni vendosi që për mungesa të shumta për raportim nga ministri Aliu, t’i mundësohet të raportoj zëvendësministri i këtij dikasteri, Hysen Durmishi.

Kryetarja e Komisionit, Hykmete Bajrami prezantoi raportin e auditimit në ndërtimin e rrugëve lokale dhe rajonale. Ajo tha se shqetësim mbetet mungesa e ministrave në raporti, për të cilën tha se disa herë e kanë shtyrë këtë mbledhje.

“Raporti ka ngritur disa çështje, mungesa e planifikimit të aktiviteteve për rrugë lokale dhe rajonale. Çështja e dytë është buxheti sepse nuk ka mjaftueshëm. Një prej çështjeve është edhe mungesa e mjeteve për shpronësim sepse prolongon projektet. Të gjitha komunat ka shumë rrugë të ndërtuara por mungojnë fondet për mirëmbajtjen e këtyre rrugëve. Kjo mbledhje është shtyrë disa javë. Te investimet kapitale të gjeturat e shumë raporteve korrupsioni shtrihet te dhënia e kontratës dhe zbatimi i kontratës. Cilët janë mekanizmat e juaj për të kontrolluar cilësinë e laboratorëve private”, tha ajo.

Zëvendësministri i këtij dikasteri, Dysen Durmishi, tha se problemi kryesor që përballet ky dikaster, është shpronësimi, duke thënë që për afro 12 rrugë nuk kanë fare raport të shpronësimit.

“Me raportin e auditimit në tërësinë e këtij raporti pajtohem plotësisht. Të gjitha këto të gjetura qëndrojnë dhe është shumë e rëndësishme që këto të gjetura t’i adresojmë. Problemet kryesore që ballafaqohemi kanë të bëjnë me projekte jo cilësore. Prej detyrës projektuese, hartimi i projektit dhe fillimi i implementimit pa filluar shpronësimi. Ne kemi rruge të ndërtuar nga Prishtina deri te QMI që nuk është shpronësuar asnjëherë. I kemi 12 rrugë të tilla që s’ka fare raport të shpronësimit”, ka thënë Durmishi.

Problem tjetër është edhe besimi i laboratorëve të cilët japin raport për shpronësime. Ai tha se kur ka dyshime, mostrat i dërgojnë jashtë shtetit. Ndërsa për anulimin e shpronësimeve për rrugën Pejë-Prishtinë, Durmishi tha se ka pasur një tendencë për rritje të vlerës së shpronësimeve.

Po ashtu, ai përmendi se 12 rrugë të ndërtuara nuk kanë as elaborat të shpronësimit, e njëra ndër to, sipas tij, është rruga kryesore me 6 korsi nga Prishtina deri te QMI-ja e ndërtuar në vitet 2008-2009.

“Kemi rrugë të ndërtuar që në vitin 2008, rruga kryesore nga Prishtina deri te QMI-ja, është me 6 korsi, e cila nuk është shpronësuar asnjë herë dhe s’ka elaborat. Dhe tash neve po na vinë paditë përmes gjykatave ku pronarët përmes gjykatave fitojnë të drejtën e tyre për pronën që iu është marrë në vitin 2008 e 2009. I kemi të identifikuara 12 rrugë të tilla që s’ka fare elaborat të shpronësimit”, theksoi ai.

“Besueshmëria në përgjithësi është e vogël në Kosovë në laboratorët që ekzistojnë. Ne i kemi kontraktuar dy laboratorë private. Nëse kemi dyshime se po manipulojnë te dy laboratorët atëherë mund të marrim mostra dhe të dërgojmë mostra jashtë vendit. Për rrugën Pejë-Prishtinë kemi anuluar shpronësimin dhe ka të gjetura se aty ka pasur tendencë për një rritje të madhe të vlerës së shpronësimit që ka përfunduar në 40 milionë euro. Në Ministri të Infrastrukturës kemi gjetur se ekziston projekti i rrugës ekzistuese. Tash i kemi 57 milion për shpronësime”, ka thënë ai.

Të ngjashme