Avokati kosovar, Tomë Gashi, ka thënë se lajmi i publikuar në medie se një gjykatësi të Speciales i’u është vjedhur një laptop, është bërë me qëllim denigrimi për shqiptarët, raporton Ekonomia Online.
Sipas tij, ky raportim është bërë publik në Serbi dhe se qëllim kryesor kanë fajësimin e shqiptarëve për procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Gashi ka thënë se situata të tilla janë duke u përsëritur, dhe se koha e publikimit të këtij lajmi, ndërlidhet me kohën kur edhe pritet të fillojë gjykimi ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit.
“Unë besoj që po përsëritet një histori se kemi pasur një lajm edhe më herët ku më parë kinse një gjyqtar i Gjykatës Speciale në Hagë i’u është vjedhur një kompjuter më herët. Ditën e djeshme jemi njoftuar për një gjyqtar tjetër francez që i’u është vjedhur një laptop dhe kinse dera e banesës së tij është thyer dhe informata që është bërë publike nëpër disa media është se ai nga largësia i ka fshire të gjitha shënimet që i ka pasur në atë llaptop”, u shpreh Gashi.
“Mendoj që tani është një presion i brendshëm që Serbia e bënë për vetveten ndoshta edhe pak sa për opinionin ndërkombëtarë dhe porosia është e qartë, aludimi i mediave serbe është se kinse këtë po e bëjnë shqiptarët dhe posaçërisht kur tani më jemi të njoftuar që ka parashikime nga Gjykata Speciale në Hagë që gjykimi kundër Thaçit, Veselit, Krasniqi dhe Selimit do të fillojë nga mesi i marsit të këtij viti. Tani duhet ta dimë që kemi hyrë në vitin e tretë qysh se ata janë paraburgosur dhe mbrojtja dhe prokuroria kanë kërkuar kohë shtesë sepse ishte paraparë më herët që gjykimi mund të fillojë me 1 mars dhe tani dallimi për dy javë nuk ndryshon asgjë”, tha ai.