Raportohet se ShBA-ja ka vendosur edhe për një tërheqje tjetër nga Ukraina

Prishtinë | 12 Shk 2022 | 12:41 | Nga Ekonomia Online

Dy burime diplomatike i thanë të shtunën agjencisë “Reuters” se Shtetet e Bashkuara kanë vendosur që stafi amerikan në Organizatën për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë – OSBE – të tërhiqet menjëherë nga Ukraina, pas frikës për pushtim të mundshëm nga Rusia.

OSBE-ja nuk i është përgjigjur kërkesës për koment. Kjo organizatë kryen operacione të ndryshme në Ukrainë, përfshirë misionin vëzhgues civil në rajonet lindore ukrainase të kontrolluara nga separatistët e përkrahur nga Rusia, ku nga një luftë e nisur më 2014 janë vrarë mbi 14.000 njerëz, shkruan Reuters, përcjell Gazeta Express.

Njëri nga burimet, që foli në kushte anonimiteti, tha se vendimi i Shteteve të Bashkuara për t’i tërhequr pjesëtarët e vet të OSBE-së është me efekt të menjëhershëm dhe se ata presin që edhe vendet e tjera të marrin vendime të ngjashme së shpejti.

Dy burime i thanë agjencisë “Reuters” se Britania e Madhe ka vendosur që t’i zhvendosë pjesëtarët e saj të OSBE-së nga rajonet e kontrolluara nga rebelët në Ukrainë për t’i dërguar në zonën e kontrolluar nga forcat qeveritare ukrainase.

Shtetet e Bashkuara dhe disa aleate të tyre u kanë bërë thirrje qytetarëve të vet që të largohen menjëherë nga Ukraina për shkak të rrezikut për agresion ushtarak, që, sipas tyre, mund të ndodhë në çdo çast.

Të ngjashme